COVID-19 do të anulojë mbrëmjen e maturës! Shahini: S'mundësojnë distancimin social

3 Maj 2020, 13:10

TIRANË- Maturantët e këtij viti do duhet të gjejnë forma të tjera për të festuar mbylljen e 3 viteve shkollë, pasi nuk do të ketë mbrëmje mature. Koronavirusi ka anuluar një nga festat simbol të maturantëve, mbrëmjen e maturës. Lajmi është dhënë nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila në përgjigje të pyetjeve të shumë nxënësve, ka dhënë lajmin jo shumë të mirë që mbrëmjet e maturës janë anuluar pasi janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve. "Për fat të keq, jo. Mbrëmjet e maturës nuk do të lejohen. Janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve, kështu që sivjet ato duhet të anulohen dhe të gjejmë forma të tjera për të festuar”, njofton Shahini.Sa i përket rikthimit në shkollë më 18 maj, Shahini ka njoftuar se kush mendon se mund t'i bëjë provimet pa pasur nevojë për konsultime, atëherë nuk është e nevojshme që të rikthehen në bankat e shkollës, por duhet të njoftohet drejtori i shkollës, para 11 majit, që të planifikohet ulja e nxënësve në klasa për të ruajtur distancimin social. Në tre javët që janë planifikuar rikthimi në shkollë, nuk përfshihen të shtunat dhe të dielat. Që do të thotë se fundjava do të jetë pushim, si gjithmonë. “Kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm. Ne po i hapim shkollat për maturantët ekskluzivisht për shkak se ju keni kërkuar që të keni konsultime me mësuesit tuaj përpara se të bëni provimin e maturës. Ndaj, nëse ndiheni që mund të bëni provimin e maturës pa e bërë këtë konsultim, ju mund të qëndroni në shtëpi gjatë kësaj kohe, të punoni individualisht, por duhet të njoftoni drejtorin e shkollës para 11 majit, në mënyrë që të planifikojmë uljen e nxënësve nëpër klasa dhe distancimin social për ata që shkojnë në shkollë”, tha Shahini.