Covid-19, Eurogrupi paketë financare prej 500 miliardë euro. Koronabondi ende në diskutim

10 Prill 2020, 13:25

Ministrat e financave të BE kanë gjetur gjuhën për një marrëveshje të përbashkët në lidhje me një paketë financare prej 500 miliardë euro për të mbështetur sistemin shëndetësor, ruajtjen e vendeve të punës, likuiditetet për bizneset dhe fondin për një plan ringjalljeje ekonomike në situatën pandemike.

Dokumenti përfundimtar do të diskutohet në tryezën e liderëve të Unionit por modalitetet e financimit të tij mbeten ende të përcaktohen.

Sipas dokumentit të eurogrupit, për kostot e kujdesit shëndetësor do përdoret mundësia e linjës së kreditimit pa kushte e Mekanizmit Europian të Stabilitetit (Mes). “Shtetet kanë detyrimin e vetëm ta përdorin atë për të mbështetur financimin e kostove direkte ose indirekte të kujdesit shëndetësor, trajtimin dhe kostot e parandalimit të lidhura me Covid-19", thuhet në përfundimet e Eurogroupit.

"Linja e kredisë do të jetë e disponueshme deri në fund të emergjencës shëndetësore dhe paskësaj vendet e BE do mbeten të përkushtuara për forcimin e bazave ekonomike, në përputhje me kornizën europiane të mbikëqyrjes fiskale, përfshirë fleksibilitetin".