COVID-19/ Fuqizohen kapacitetet njerëzore, 400 të shëruar në terapi intensive tek Infektivi, që nga fillimi pandemisë

10 Gusht 2020, 16:52

Qeveria ka bërë parashikimet për skenarët e mundshme që mund të krijojë pandemia dhe për këtë po krijon struktura të reja spitalore për të trajtuar COVID-19 në mënyrë që të mund të përballohet fluksi i të shtuarve nga infeksioni. Përtej spitaleve COVID 1 dhe COVID2, vijon përgatitja e strukturave të reja dhe bashkëpunimi me spitalet rajonale ka çuar jo vetëm në përgatitje infrastrukturore, por edhe profesionale të  trajnimit të stafeve mjekësore, të cilët do të formojnë skuadrat rezervë për përballimin e COVID19 edhe me hapjen e strukturave të tjera spitalore, sipas skenarëve, për përballimin e situatës.

Gjithashtu vetëm në Spitalin Infektiv, janë shëruar 400 pacientë në terapi intensive duke treguar edhe njëherë punën heroike të mjekëve dhe infermiereve në spitalet tona Covid1 dhe Covid2.

Kjo u bë e ditur gjatë takimit që ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu zhvilloi me ekipin e mjekëve dhe infermierëve italianë të ardhur para disa ditësh për të ndihmuar vendin në përballimin e situatës së krijuar nga përhapja e Covid19, duke vlerësuar shkëmbimin e eksperiencave.