COVID-19/ Koraqi: Në varësi të rasteve vendosim për kufizimet! Testet e shpejta të domosdoshme

6 Nëntor 2020, 17:32

TIRANË- Shifrat rekord të infektimeve që po shënohen në vendin tonë janë paralel me numrin e testimeve. Kështu thotë shefi i laboratorit mikrobiologjik në QSUT, Andi Koraqi ndërsa shton që pritet një rritje akoma më shumë në muajt në vazhdim.

“Rritja është e pritshme edhe përsa i përket sezonit për faktin që sezoni i vjeshtës dhe i dimrit shoqërohen dhe me rritje të virozave respiratore stinore. Mendoj që do të ketë një rritje akoma  më shumë në ditët, javët dhe muajt në vazhdim”-u shpreh Andi koraqi.

Sipas Koraqit që është dhe pjesë e Komitetit Teknik të Eskpertëve, për momentin në vendin tonë nuk do të kemi kufizime të mëdha.

“Nëse do të kemi shtim akoma dhe më të madhë të rasteve mund të rishikohen dhe masat e tjera, shkollat e kështu me rradhë varet nga parametrat dhe parametri më i rëndësishëm është ezaurimi i kapaciteteve spitalore që për momentin nuk është se vihet re. Mendoj që nuk do të ketë kufizime të mëdhaja për momentin”- u shpreh profesor Koraqi.

Ndër të tjera, profesor Andi Koraqi tha se është e domosdoshme përdorimi i testeve të shpejta.

“Sigurisht është e domosdoshme fillimi i përdorimit të testeve të shpejta. Ka një dallim testet e shpejta për të përcaktuar antigenin. Ato që bëhen me real time pcr mund të bëhen dhe me teste të shpejta duke dedektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë antigenet”-tha Andi Koraqi.

Vetëm një javë më parë për shkak të numrit të lartë të shtrimeve në spitale, lindi nevoja për hapjen e spitalit COVID 3.