Covid-19, më shumë se 145 mijë viktima në botë. SHBA 4591 vdekje në 24 orë, Wuhan korigjon numrat

17 Prill 2020, 14:28

Në të gjithë botën numri i të infektuarve nga koronavirusi është 2.159.267 kurse numri i viktimave është rritur në 145.563. Gjithashtu janë shëruar nga infeksioni i Covid 3.420.394 persona.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka shënuar një rekord të padëgjuar më parë, 4,591 viktima në vetëm 24 orë, thuajse dyfishi i numrave të rekordit të mëparshëm.

Përkundër kësaj, presidenti Donald Trump ka prezantuar planin e tij për të rihapur Amerikën me qasje me faza dhe të matura për t’iu rikthyer aktivitetin normal.

Do ta rifillojmë jetën së​risht“, tha zoti Trump gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp. “Po fillojmë përsëri ringjalljen e jetës ekonomike”, tha ai duke shtuar se “ky do të jetë një proces gradual”.

Sipas tij çdo shtet mund të heq bllokadën që nesër nëse plotësohen disa kritere ndër të cilët më themelori është që për 14 ditë rresht të regjistrohen numra në rënie përsa i përket të shtruarve në kujdesin intensiv dhe rasteve të reja pozitive.

Trump tha gjithashtu se vendimet i takojnë t'i marrin guvernatorët e shteteve.

Por edhe pse Trump planifikon rihapjen, guvernatori i New York-ut, demokrati Andrew Cuomo, ka shtyrë me një muaj, deri më 15 maj kufizimet dhe bllokimet në shtetin e tij.