TIRANE - Në 10-vjeçarin e fundit, Shqipëria nuk ka njohur një bilanc vdekjesh si në vitin 2020, moment në të cilin vendi ynë u prek nga pandemia Covid -19. Në këtë vit tragjik për popullin shqiptar, janë 5668 jetë të humbura më shumë se sa në 2019-ën. Në raportin e fundit të INSTAT për treguesit demografikë, në vitin 2020 humbën jetën 27.605 persona, ndërsa në 2019-ën pati 21.937 humbje. Rritja nga viti në vit është me 25,8 % ose 5.668 vdekje më shumë.
Nga 2011-a në 2019-ën në një studim të raporteve të INSTAT që Report Tv bëri, rezulton se nga viti në vit jetët e humbura janë shtuar mesatarisht me 633, ndërsa vdekjet më të larta, pa 2020-ën, janë shënuar në vitin 2015, me 1,762 vdekje më shumë se 2014-a.
Krahasimet e vdekjeve në total ndër vite
Vitet
2011-2012 858 vdekje më shumë
2012-2013 428 vdekje më pak
2013-2014 214 vdekje më shumë
2014-2015 1.762 vdekje më shumë
2015-2016 1030 vdekje më shumë
2016 – 2017 844 vdekje më shumë
2017 - 2018 428 vdekje më pak
2018 – 2019 133 vdekje më shumë
2019 – 2020 5668 vdekje më shumë
Por sa prej këtyre vdekjeve janë nga COVID?
Sipas raportimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë deri më 31 dhjetor në mbyllje të 2020-ës pati 1181 qytetarë që humbën jetën nga koronavirusi në spitalet COVID. Nga totali i numrit të shtuar të vdekjeve (2019-2020), nëse veçojmë humbjet nga virusi, janë 4487 vdekje më shumë se 1 vit më parë, që INSTAT në raportin e tij nuk i ka specifikuar se nga cilat shkaqe kanë ardhur. Duke ju referuar historikut të raporteve të viteve të mëparshme për lindjet dhe vdekjet, shkaqet e numrit në total të vdekjeve janë përcaktuar përgjithësisht në raporte të tjera të bëra publike në muajin maj, që burim për përcaktimin e shkaqeve të vdekjeve kanë Gjendjen e Përgjithshme Civile.
Nga 2016 deri në 2019-ën shkaqet kryesore të vdekjeve në Shqipëri sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve, janë: Sëmundjet e gjakut, tumoret dhe sëmundje të papërcaktuara që kanë marrë nga 3 mijë deri në rreth 12 mijë jetë në vit. Praktikisht, për vitin 2020, mbi këtë historik sëmundjesh, Covid 19 do të ishte në vendin e katërt, për nivelin e lartë të vdekshmërisë.