COVID-19 shtyn censin e popullsisë dhe banesave! S'do bëhet në tetor, por më vonë

5 Maj 2020, 13:59

TIRANË- Pandemia e COVID-19, ka shtyrë censin e popullsisë dhe banesave i parashikuar të zhvillohej në muajin tetor të këtij viti. Në raportin e depozituar në Kuvend, INSTAT njofton se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID, censi i banesave dhe i popullsisë nuk do të zhvillohet këtë vit por në një moment tjetër.

“Situata e krijuar nga Covid-19 dhe politikat e shtetit shqiptar për përballimin e fatkeqësisë natyrore, detyroi INSTAT të rishikonte prioritetet dhe aktivitetet statistikore për tu realizuar këtë vit. Pezullimi i veprimtarive përgatitore për Censin e Popullsisë dhe Banesave, i cili ishte parashikuar të kryhej në tetor të këtij viti, e bën të pashmangshme shtyrjen e këtij aktiviteti madhor për një kohë tjetër, ashtu siç kanë vendosur edhe vendet e tjera të Evropës”, thuhet në arsyetimin e INSTAT.

Ndërkohë pilot censi i popullsisë dhe banesave është kryer gjatë vitit 2019, por në pandemia dhe tërmeti i 26 nëntorit penalizojnë edhe zhvillimin e një projekti të tillë.

Rinumërimi i popullsisë dhe i banesave do të zhvillohej në format elektronik, do të zgjate rreth 2 muaj dhe kishte një kosto prej rreth 16 milionë euro. Censusi i fundit është zhvilluar në vitin 2011, ku rezultoi se popullsia banuese ishte 2,821,977,  me një rënie prej 8%, nga Censusi i vitit 2001.

Nga ky rinumërim i popullsisë INSTAT thotë se do të grumbullohen të dhëna të rëndësishme, do të sigurohen informacione kryesore mbi popullsinë dhe banesat, do të shikohen ndryshimet e popullsisë në dekadën e fundit, madhësia dhe struktura e familjeve, migracioni, arsimi, punësimi, paaftësia, apo kushtet e banimit. Ndërkohë në bazë të këtij censi mund të hartohen edhe politika të ndryshme socio ekonomike, strategjive dhe planeve të zhvillimit në nivel kombëtar, lokal dhe sektorial.