COVID-19 s'ka garanci, UEFA gati të shtyjë afatin për përfundimin e kampionateve

22 Mars 2020, 14:43

Të martën UEFA doli me disa vendime të rëndësishme, në lidhje me vijim e kampionateve në Europë, por situata aktuale nuk po jep asnjë shenjë për rifillimin e garave në kontinentin e vjetër. Institucioni më i rëndësishëm në Europë shtyu Europianin dhe vendosi si kusht përfundimin e kampionateve deri me 30 qershor, në mënyrë që kualifikueset e kupave të Europës të luhen në momentin e duhur.

Por ky parashikim duket se ka rënë poshtë. Situata në kontinent në lidhje me koronavirusin hë për hë nuk po shkon drejt përmirësimit, madje po ndodh e kundërta. Në këto kushte UEFA sipas "L'Equipe" po mendon për një tjetër plan. Ideja është që kampionatet në Europë mund të luhen deri më 30 korrik, me kushtin e vetëm që ata vetëm të përfundojnë.

Gjithsesi për momentin asgjë nuk është e sigurtë pavarësisht se UEFA po mendon të ndërhyjë sërish. "Premier League" është në diskutim serioz, pasi atje nuk mungojnë zërat se kampionati tani mund të jetë i mbyllur, pasi koha nuk premton.

Ditë më parë raportime të ngjashme kemi patur edhe nga Italia, ku njerëz të lidhur me Seria A kanë deklaruar se kampionati është në rrezik serioz. Të paktën ky sezon në të gjithë Europën rrezikon shumë. Madje edhe një virolog parashikoi se këtë vit do të jetë shumë e vështirë që të luhet futboll në Europë, pasi pandemia COVID-19 ka gjasa të mos largohet aq lehtë.

Sakaq me mendimin për të ndalur futbollin këtë vit ishte edhe sulmuesi i Interit Romelu Lukaku, i cili për mediat italiane është shprehur se nuk ka kuptim që të luhet këtë vit.