COVID-19, ZERO shanse për t'u martuar me ligj...Doracaj: Nis shpërndarja e mjeteve identifikuese..

14 Prill 2020, 12:15 | Përditesimi i fundit: 2020-04-14 14:31:02

TIRANË - Nëse një çift të dashuruarish dëshirojnë të kurorëzojnë në martesë dashurinë e tyre, këtu nuk mund ta bëjnë përpara ligjit. Shërbimi i gjendjes civile është funksional vetëm për rastet e lindjeve apo të vdekjeve për të bërë çregjistrimin. Në një intervistë për Report Tv, drejtori i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, shpjegoi se si ndodh në kohë koranavirusi regjistrimi i fëmijëve të sapoardhur në jetë.

"Të vetmet shërbime që ofron shërbimi i gjendjes civile janë lindjet dhe vdekjet. Të gjitha shërbimet e tjera nuk ofrohen sot, për arsye të radhës në sportele dhe përcjelljes së infeksionit. Martesa është një kontratë ligjore, por dhe një traditë, sot kur tradita nuk mund të respektohet, edhe kjo pjesë ligjore, akti i martesës para nëpunësit të gjendjes civile, nuk mund të ofrohet. Nuk është kontrata para nëpunësit ajo që i bën dy njerëz të bashkëjetojnë apo të krijojnë familje. Prej disa ditësh në të gjitha sportelet ofrohet shërbimi i lindjeve dhe vdekje. Isha sot personalisht tek materniteti "Koço Gliozheni" ku ndoqa nga afër procesin, i cili po ecën mirë në të gjithë vendin dhe para datës 7 prill e kishim të bllokuar për shkak të pandemisë, tashmë e ofrojnë, por nëpunësit janë me masa mbrojtëse.  Ne ofrojmë shërbime në 4 maternitete, 2 shtetërore dhe 2 private, dhe në të gjitha maternitetet në vend, në maternitetet e mëdha kemi një punonjës përgjatë gjithë kohës atje, ku ka më pak nëpunësi funksionon sapo merret në telefon, dhe atje ka gjithë infrastrukturën teknike për ta kryer shërbimin në maternitet", tha Doracaj.