Covid-Brazili si Spanja, vendos detyrimin për mbajtjen e maskave ​​në të gjitha vendet publike

10 Qershor 2020, 15:51

Kongresi brazilian miratoi përdorimin e detyrueshëm të maskave në vendet dhe transportin publik në të gjithë vendin dhe për kohëzgjatjen e emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Rregulloret e reja të miratuara parashikojnë që 27 guvernatorët e shtetit dhe mbi 5.500 kryetarët e bashkive të aplikojnë gjoba ndaj qytetarëve që do të gjenden duke lëvizuar pa maska në rrugë dhe vendet publike.

Gjithashtu shteti do ketë detyrimin që të shpërndajë maska falas për njerëzit me të ardhura të ulëta.

Brazili ka regjistruar 1.272 vdekje nga Covid-19 në 24 orët e kaluara, duke e çuar numrin e pergjithshëm të viktimave që prej fillimit të pandemisë në 38.406.

Në vend gjithashtu pati edhe 32091 raste të reja, për gjithsej 739.503 të prekur nga infeksioni.

Shteti i San Paolos konfirmohet si epiqendra e epidemisë me 150.138 infeksione dhe 5,545 viktima.

Maska do të mbetet e detyrueshme, e dënueshme me gjobë në rast të kundërt, në Spanjë, deri në fund të lehtësimit të masave kufizuese dhe deri sa COVID-19 të zhduket plotësisht, njoftoi dje ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa.

“Një gjobë prej 100 eurosh do t’u vendoset personave që nuk e mbajnë maskën në rrugët publike apo në vendet e mbyllura si dyqane ose kur ata nuk mund të mbajnë një distancë prej 1,5 metrash me njerëzit që i rrethojnë”, theksoi ministria në një komunikatë.

Mbajtja e maskës do të mbetet e detyrueshme në transportin e publik, në avionë dhe në automjetet private.