COVID-i i mbylli dyert turistëve, INSTAT: Rënie me 75.6%

21 Gusht 2020, 16:29 | Përditesimi i fundit: 2020-08-21 16:30:28

TIRANË- Turizmi në tremujorin e dytë ka përjetuar ndoshta rënien më të madhe në 30 vitet e fundit. Të dhënat e publikuara nga INSTAT të Anketës së Turizmit për “Strukturat Akomoduese” hedh dritë më shumë mbi goditjen që i ka dhënë pandemia këtij sektori me rëndësi madhore në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Rënia e numrit të vizitorëve ka nisur që në tremujorin e parë, pasi në krahasim me vitin 2019 pësoi rënie me mbi 10%, ndërsa numri i netëve të qëndrimit në periudhën janar-mars u reduktua me 9.4%.

Në tremujorin e dytë humbjet janë thelluar edhe më tepër. Sipas anketës të zhvilluar pranë hoteleve dhe strukturave akomoduese për periudhën prill-qershor numri i vizitorëve ka rënë me 75.6%, e numri i netëve të qëndrimit u reduktua me 76,6 %.

Vizitorët nga Kosova, Italia, Gjermania, Anglia dhe Bjellorusia kanë shënuar numrin më të madh të netëve të qëndrimit në vendin tonë, në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Ashtu siç edhe pritej ulja më e madhe e netëve të qëndrimit është regjistruar në rajonin e veriut dhe atë qendrore, ndërsa në pjesën bregdetare rënia e vizitorëve ka qenë deri në 45%. Nëse viti 2020 mbyllet me këtë bilanc negativ, atëherë edhe të ardhurat në buxhet nga ky sektor do të bien me më shumë se 1 miliardë euro.