COVID-i rriti në rekord kërkesën/ INSTAT: 25 mln € ilaçe u importuan në dhjetor

2 Shkurt 2021, 22:33

TIRANË- Rritja e numrit të infektimeve në 2 muajit e fundit të 2020, ka sjellë edhe shtim në nivele rekord të kërkesës së qytetarëve për ilaçe të shumëllojshme. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të muajit dhjetor vlera e importeve të produkteve farmaceutike ka arritur në 25.1 milionë euro, nga 20 milionë që janë blerë në të njëjtin muaj të 2019. Kjo është një rritje rekord e importit të medikamenteve që nga viti 2005 kur janë edhe të dhënat e para të regjistruara nga INSTAT, kohë kur janë importuar 6.5 milionë euro. Edhe pse ndikimin kryesor në këtë rritje që ka arritur kulmin në muajin dhjetor të vitit të shkuar ka dhënë pandemia COVID-19, po ashtu edhe virozat e ndryshme si pasojë e sezonit të dimrit, kanë shtuar kërkesa për shurup apo paketa të ndryshme për kollën.Sipas informacioneve të marra pranë farmacive dhe mjekëve, qytetarët në këtë periudhë kërkojnë më shumë medikamente të lidhura me pandeminë të tilla si Vitaminë C, antibiotik të ndryshëm dhe barna të tjera që janë në kurën e pacientëve të diagnostikuar me COVID. Ndër ilaçet që po blejnë më shumë qytetarët janë paracetamol, brufen, Aspirine, Dexametasone, vitaminë C, Zink, dhe vitaminë D por edhe vitaminat e tjera, takipirinë, kortizon, azitromicinë magnezium enalapril, dhe një sërë antibiotikësh të tjerë (zevofloxacin, Cefrnex, Ceftrioxion 1g injeksion, cefepim 1g injeksion, zevofloxacin injeksion).