Covid/Shkencëtarët kinez: Koronavirusi nuk do zhduket por do rikthehet si një virus sezonal në formën e një gripi

29 Prill 2020, 15:05

Sipas shkencëtarëve kinezë, koronavirusi i cili është duke “shkatërruar” botën nuk do të shfaroset por do të rikthehet si një virus sezonal në formën e një gripi.

Një grup virologësh dhe kërkuesish kinezë raportuan sot nga Pekini se virusi nuk do të zhduket ashtu sic bëri SARS sepse ndryshe nga ai, Covid-19 mund të infektojë edhe asimptomatikët.

Kjo do të thotë se virusi mund të përhapet pa përjetuar shenjat si temperatura e lartë dhe kollë, duke e bërë të vështirë gjurmimin e përhapjes së tij.

Kërkuesit thane gjithashtu se zyrtarët e shëndetësisë kineze, ditë pas dite vijojnë të konfirmojnë një duzinë individësh asimptomatikë.

Sipas drejtorit të Institutit të Patologjisë Biologjike pranë Akademisë Kineze të Shkencave Mjekësore, “Ka shumë gjasa që kjo epidemi do të bashkëjetojë me njerëzit për një kohë mjaft të gjatë, dhe të shndërrohet në sezonale dhe të mbartet brenda trupit të individit”.

Kudo nëpër botë mjekët kanë pranuar se virusi me shumë gjasa nuk do të eliminohet plotësisht dhe pavarësisht karantinimit dhe masave të tjera shtrënguese që janë ndërmarrë nga vende të ndryshme.