Covid/Suedi, epidemiologu që udhëheq strategjinë kundër koronavirusit: Mbyllja e kufijve është kundërproduktive dhe qesharake!

29 Prill 2020, 14:27

Ndërsa shumica e Evropës vendosi kufizime të mëdha në jetën publike për të frenuar përhapjen e koronavirusit, një vend u dallua për të kundërtën.

Suedia nuk hyri në bllokim dhe nuk imponoi politika të rrepta për distancim social. Përkundrazi, ajo mobilizoi popullsinë, duke u bazuar tek besimi që ka tek qytetarët e saj. Këshilloi të moshuarit të shmangin kontaktin shoqëror dhe rekomandoi që njerëzit të punojnë nga shtëpia, të lajnë duart rregullisht dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme. Gjithashtu shkollat ​​për fëmijët nën-16 vjeç mbeten të hapura, ashtu si dhe shumë biznese, përfshirë restorante dhe bare.

Arkitekti i strategjisë, Anders Tegnell, një epidemiolog në Agjencinë e Shëndetit Publik të Suedisë, tha se kjo që po ndodh është e mbivlerësuar. “Kjo- tha ai- nuk është një sëmundje që mund të ndalet ose zhduket, të paktën deri sa të prodhohet një vaksinë. Ligjet suedeze për sëmundjet ngjitëse, kryesisht bazohen në masa vullnetare dhe në përgjegjësinë individuale. Karantina mund të vendoset për njerëz ose zona të vogla dhe jo për zona të tëra gjeografike.