Anëtari i Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj, për të justifikuar paratë e kursyera, pretendon se ka jetuar me 5 mijë lekë në muaj ose 170 lekë në ditë, gjatë periudhës kohore 1992 deri në vitin 2000. Ky standard jetese është pranuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, në vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Edmond Islamaj
Në analizën financiare, KPK thekson se shpenzimet e jetesës për periudhën 1992-2000 të Edmond Islamajt janë në shumën 480,000 lekë, mesatarisht 5,000 lekë në muaj. “Nga analiza financiare për periudhën 1992-2000, rezulton se: Subjekti i rivlerësimit ka deklaruar apartament banimi, me sipërfaqe 81.54 m², përfituar nga privatizimi i ish-banesave shtetërore në vitin 1993, ndodhur në Durrës. Shpenzimet e jetesës për periudhën 1992- 2000 janë në shumën 480,000 lekë (Për periudhën 1992-2000 është marrë si mesatare shuma prej 5,000 lekësh/muaj shpenzime jetese për subjektin). Të ardhurat e subjektit për periudhën 1992-2000, referuar dokumentacionit të vënë në dispozicion në total, janë 1,822,161 lekë”, thuhet në vendimin e KPK. Nga këto para, sipas KPK, gjyqtari ka çelur një depozitë në vitin 2000 me vlerë 5,191 euro, u janë llogaritur shpenzime jetese 480,000 lekë, ndërsa diferenca e mbetur për shpenzime të tjera është 653,880 lekë.
Si përfundim, në vendim thuhet se "trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi u njoh me rrethanat e çështjes, bazuar në provat e administruara, raportin dhe rekomandimet e relatorit të çështjes, dëgjoi subjektin e rivlerësimit në seancë dëgjimore publike, si dhe mori në shqyrtim të gjitha pretendimet dhe provat e parashtruara nga subjekti i rivlerësimit, konstaton se subjekti ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, një nivel të besueshëm të kontrollit të figurës, si dhe një nivel të lartë të vlerësimit të aftësive profesionale”.