Daja: Partizanin e penalizoi dëshira për fitore për tre pikët! Duro: Jam i lumtur, Laçi e dominoi sfidën

28 Shkurt 2021, 12:27 | Përditesimi i fundit: 2021-02-28 12:38:58

Partizani u ndal dje në një barazim 1-1 me Laçin, duke mos përfituar plotësisht nga humbja e Vllaznisë kryesuese me Tiranën. Pavarësisht kësaj të kuqtë e ngushtuan diferencën me 1 pikë, duke e çuar në 3. Në përfundim të ndeshjes me kurbinasit, trajneri i Partizanit Ilir Daja, deklaron se entuziazmi ndikoi për të mos marrë tre pikët.

Ilir Daja, trajner i Partizanit: “Në aspektin e motivimit, dëshirës, sakrificës për ta fituar këtë ndeshje ekipi ishte në nivelin e duhur. Madje ky lloj motivimi dhe dëshire për ta fituar ndeshjen ndikoi në prishjen e ekuilibrave. Që do të thotë nëse prishen ekulibrat do të ketë një harxhim më të madh të energjive.”

Për autorin e golit te Partizani, Erald Çinari, pasaktësia në sulm i kushtoi dy pikë të kuqve.

Erald Çinari, futbollist i Partizanit: “Besoj duhej të shfrytëzonim më shumë rastet që kishim dhe do të dilnim me tre pikë. Normalisht nuk jemi të kënaqur pasi duhej të merrnim maksimumin e pikëve, por e rëndësishme është që nuk hëmbëm.”

Ndërkohë në kampin kundërshtar janë të lumtur me barazimin. Trajneri i Laçit Shpëtim Duro thotë se skuadra e tij e dominoi sfidën.

Shpëtim Duro, trajner i Laçit: “Jam i kënaqur me lojën, por edhe me rezultatin, sepse quhej ndeshje në transfertë. Në këtë aspekt i kemi marrë Partizanit 5 pikë. Edhe në lojë kemi qenë më mirë pavarësisht 10 minutave në pjesën e parë. Jam shumë shumë i kënaqur me skuadrën.”

Të mërkurën Partizani udhëton në Fier për javën e 22 të Superligës, ndërsa Laçi përballet me Kukësin.