DAMIR FAZLIÇ PER AFERAT E TIJ KONTRAKTON ARGITA BERISHA DHE KUNATIN E LULZIM BASHËS

30 Mars 2021, 13:49

Vetëm një vit pas kthimit të tij në qeverisje, nis të piqet një nga skandalet më të mëdha që përfshin qeverinë e udhëhequr nga Partia Demokratike dhe që prek drejtpërdrejtë Argitën dhe bashkëshortin e saj, Jamarbër Malltezi, pra familjen e kryeministrit. Në vitin 2006 një afarist misterioz boshnjak, Damir Fazlliç, mik dhe këshilltar i Sali Berishës në fushatën zgjedhore 2005, kërkon konsulencën e Argita Berishës për një aferë në dukje të thjeshtë: Kërkon të blejë toka në zonën e Porto Romanos, pranë fshatit Rinia, ku synon të ndërtojë një depozitë karburantesh. 

Mes tetorit dhe nëntorit 2006, siç ka treguar vete Flutura Kola në prokurori, Argita i prezanton Damir Fazlliçin, për t’i besuar formalisht detyrën studios legale “Kola & Associati” pas së cilës fshihet Argita Berisha. 

Studio “Malltezi & Associati”, që Argita Berisha as nuk e ka regjistruar ndonjëherë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe studio “Kola & Associati”, kanë në fakt të njëjtën adresë dhe deri të njëjtin numër telefoni.  

Në pjesën e parë të këtij investigimi treguam se si dhjetëra klientë që kalonin nga studio e konsulencës  së vajzës së kryeministrit dhe të shoqes së saj, derdhnin në bankë qindra mijëra euro nën formën e konsulencës, duke marrë si këmbim favoret e Sali Berishës. Por aferat miliardere të Damir Fazlliçit bëhen të gjitha në para në dorë që vijnë nga parajsat fiskale, një skemë e përdorur prej kohësh në të gjithë botën si metodë korrupsioni dhe pastrimi parash, pasi ka avantazhin e madh që nuk lë gjurmë.