Darka e burrave pas fitores në zgjedhje, Salianji konfirmon versionin e Dakos

1 Shkurt 2019, 14:41

Pak ditë më parë Zëri i Amerikës dhe BIRN publikuan përgjime të reja, që janë pjesë e dosjes 339/1, ku po hetohet për krim elektoral në disa qytete të vendit, ndërsa përmendet edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako (lexo ketu). Sipas materialit të publikuar, përgjimet tregojnë se dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kanë drekuar të paktën dy herë me Dakon në fillim të vitit 2017.

Mbrëmë në 'Open', kryebashkiaku Dako u shpreh se dreka dhe darka ha përditë me njerëz në nevojë, grupe interesi, apo ata që kanë nevojë të takohen me atë. "Dreka e darka unë ha përditë me njerëz në nevojë, grupe interesi, ata që kanë nevojë të takohen me mua. Në rastin konkret kam qenë i ftuar nga vëllezërit pronarë të atij hoteli, së bashku edhe me disa të tjerë. Fati im i keq, që të ftuar kanë qenë edhe këta emra që përmendni ju, në një ngjarje të vitit 2017.

Unë s’kam qenë i përgjuar, të përgjuar kanë qenë ata. Unë s’mbaj përgjegjësi për çfarë thonë ata, dikush mund edhe të mashtrojë për të fituar besueshmëri. Unë nuk mbaj mend që të ketë qenë i ulur në tavolinë Altin Avdyli. Në tavolinë kam qenë me shumë persona, sepse drekat e darkat i kemi pjesë të punës sonë të përditshme, për përurime, festa lokale, bamirësira, apo edhe aktivitete politike. Unë kam qenë i ftuar në atë drekë, ndërkohë që nuk mbaj unë përgjegjësi nëse kanë precedentë penalë të ftuarit e tjerë apo jo" tha ai.

Ndërkohë ditën e sotme deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka publikuar një video në rrjetet sociale nga një darkë festive, ku të pranishëm mes shumë personave janë Vangjush Dako, drejtori i OSHEE-së, Ardian Çela dhe deputeti socialist Jurgis Çyrbja. Sipas burimeve të Report Tv, darka është organizuar nga shtabi elektoral i Durrësit pas fitores në zgjedhjet të vitit 2017, duke konfirmuar versionin që dha Dako mbrëmë.