DASH padit Google, akuzohet për shkelje të ligjit të konkurrencës

21 Tetor 2020, 14:12

Departamenti Amerikan i Drejtësisë pritet të bëjë një padi ligjore kundër “Alphabet INC”, kompania mëmë e Google, për shkelje të ligjit dhe monopolizim në tregun e kërkimit në internet.

Konkretisht, gjiganti i teknologjisë akuzohet se ka përdorur fuqinë tregtare për të spostuar kompanitë rivale të kërkimit në internet, bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas hetuesve Google u paguan çdo vit kompanive të prodhimit të celularëve për të përfshirë aplikacionin e tij dhe kjo gjë  ka shkaktuar shkeljen e ligjit të konkurrencës për të ruajtur supremacinë si motor kërkimi dhe për shitjen e reklamave online.

Pas këtyre akuzave, ka ardhur dhe reagimi i Google që ka hedhur poshtë çdo pretendim të grupit hetimor dhe është shprehur edhe njëherë e sigurte se nuk ka shkelur ligjet e konkurrencës duke theksuar se ajo preferohet nga vetë njerëzit.

Sidoqoftë, duke qenë se vjen pak ditë para zgjedhjeve presidenciale, padia mund të konsiderohet një lëvizje politike pasi përmbush premtimin e presidentit Donald Trump për të mbajtur kompani si Google përgjegjëse për asgjësimin e grupeve të tjera rivale.

Google është përballur  edhe më parë me akuza të ngjashme  në Bashkimin Evropian. Kompania është gjobitur nga Këshilli i Bashkimit Evropian tre herë që nga viti 2017 dhe duhet të paguajë 8.2 miliardë euro, vendime të cilat janë apeluar.