“Dasma” e Preljocaj me balerinët shqiptarë turne dyjavor në teatrot e Italisë

21 Prill 2018, 11:54

Noémie Perlov, asistent-koreografja e baletit “Preljocaj” ka ardhur në Tiranë për të përgatitur balerinët shqiptarë për turin dyjavor  të baletit “Noces (Dasma)”&“La Stravaganza” në teatrot e Italisë.

Trupa e baletit do të japë shfaqje duke filluar nga data 29 prill në disa qytete të Italisë me këtë vepër të koreografit të mirënjohur Angjelin Preljocaj.

Noces & La stravaganza do të prezantohet nga trupa e baletit në disa nga teatrot e rëndësishme në Itali si në “Teatro Giordano” në Foggia,  “Teatro Garibaldi” në Bisceglie, “Teatro Abeliano” në Bari dhe “Teatro Apollo” në Leçe.

 Turi i shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Itali realizohet në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe  Presidenti i Rajonit të Puglia-s, z. Michele Emiliano. Marrëveshja është nënshkruar  në fushën e atit, kulturës dhe turizmit kulturor mes Shqipërisë dhe Rajonit të Puglia-s.

 “Kemi shpallur prioritet diplomacinë kulturore dhe është detyrë e institucionit të krijojë mekanizmat e duhur që skena e vogel e artit shqiptare të përballet me skenën e madhe evropiane”, u shpreh ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro rreth këtij bashkëpunimi.