Në nderim të 251 viktimave të “puçit” të shtetit në Turqi në datë 15 korrik të vitit 2016 është ngritur një memorial tek Liqeni i Tiranës. Inaugurimi i memorialit është shoqëruar edhe nga një marshim, në të cilën morën pjesë të rinj, por edhe qytetarë turq dhe shqiptarë në Tiranë. Ceremonia u zhvillua larg prezencës së kamerave dhe ne fakt te vetmet pamje qe qarkullojnë janë këto që janë shpërndarë nga ambasada turke në Tiranë. Por inaugurimit i memoriali nuk është mirëpritur as nga disa intelektualët në vend, dhe opinioni publik vazhdon ta mos e kuptojë pse në qendër të kryeqytetit shqiptar duhet ta kujtohen viktimat e një grushti shteti të dështuar, të ndodhur tre vite përpara në Stamboll. Mes zërave kritike ka reaguar edhe shkrimtari Gazmend Kapllani apo studiuesja dhe kritikja e artit Eleni Laperi, të cilat e kanë konsideruar këtë veprim një turp, që duhet zhbërë sa më parë. Mbi memorialin pro Erdogan në Tiranë po debatohet shumë edhe ne mediat sociale, me kritika shumë të ashpra.
Por çfarë është “puci i shtetit”, që ndodhi në 15 korrik të vitit 2016 në Turqi? Bëhet fjalë për një grup ushtarakësh turq, të cilët tentuan një grusht shteti në Turqi kundër presidentit Erdogan. Ata dolën nga kazermat dhe morën në kontroll disa institucione, ku mes tyre edhe aeroportet e Ankarasë dhe Stambollit. Por vetëm 4 orë pas nisjes së grushtit të shtetit, qeveria turke mori sërish kontrollin e vendit. Si pasojë e puçit ushtarak në Turqi mbetën të vdekur 251 persona. Qeveria e Presidentit Erdogan akuzon ish mikun e tij, imamin Fet’hullah Gylen, si organizatorin e grushtit të shtetit. Gyleni, i cili jeton në SHBA që prej vitit 1999, i mohon kategorikisht akuzat. Turqia e ka shpallur “Lëvizjen Gylen” organizatë terroriste. Qindra mijë persona të dyshuar si anëtarë të saj janë përballuar me arrestime, burgosje, gjyqe dhe dënime të dyshimta apo heqje nga puna. Qindra gazetarë janë burgosur pasi janë konsideruar se shkrimet e tyre përpara grushtit të shtetit kanë mbështetur Lëvizjen Gylen.
Veprimet e Erdogan kundrejt të ashtuquajturve ''puçiste'' janë kritikuar në shumë vende demokratike si të tepruara dhe të motivuara politiksht. Qeveria turke ka kërkuar disa herë edhe nga autoritetet shqiptare masat kundër ''investimeve Gyleniste'' të realizuara në Shqipëri, por deri tani kërkesat e Erdogan janë refuzuar, pavarësisht nga marrëdhëniet shumë të mira që presidenti turk mban me kryeministrin Edi Rama. Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut është realizuar me ndihmën e TİKA-s, pra koperacioni shtetëror turke e cila operon në Shqipëri me projekte në sektorë të ndryshëm, që nga viti 1996. Turqia është prezente në Shqipëri me shumë investime edhe ne fushat strategjike si transporti, bankat dhe telekomunikacioni.