Debat për serumin/ I dehuri dhunon mjekun, spitali i Peqinit prej gjashtë vitesh pa roje

18 Nëntor 2019, 13:16 | Përditesimi i fundit: 2019-11-18 18:18:45

PEQIN-Shënohet një tjetër rast i dhunimit të mjekëve. Një 32-vjeçar është arrestuar në Peqin, pasi mbrëmjen e djeshme nën efektin e alkoolit pas sherrit për serumin ka goditur për shkak të detyrës mjekun Yllkan Topi. I arrestuari qw goditi me shkelma dhe grushte mjekun e urgjencës është Agim Kumbara.

Gazetari i Report Tv Aldo Kozarja ishte në spitalin e Peqinit, mjeku është shprehur jashtë kamerave se u dhunua me grushte nga i riu, ndërsa falë ndërhyrjes së stafit dhe personave të tjerë që ishin të pranishëm u shmang agravimi i situatës.Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Peqin kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë bërë kapjen dhe arrestimin e autorit. Me ndryshimet e Kodit Penal dhuna ndaj mjekëve dënohet nga 1 deri në 5 vite burg. Ndërkohë që Report Tv mëson se spitali nuk ka roje prej 6 vitesh për arsye financiare.