Debat për sigurinë ushqimore në ‘Repolitix’

18 Korrik 2018, 23:05

Siguria ushqimore mbetet një nga problemet kryesore në Shqipëri, aq më tepër në stinën e verës. Për të diskutuar për këtë çështje mjaft të ndjeshme, sonte në emisionin ‘Repolitix’ në Report TV të drejtuar nga Denis Minga ishin të ftuar Alban Zusi, ish-zv.ministër i Bujqësisë në qeverisë “Rama 1”, Isa Sakja kryetar i bashkisë Kavajë, Kristaq Berxholi profesor i mjekësisë veterinare dhe Rexhep Shima sekretar i Përgjithshëm i Shoqatave të Blegtorisë.

Të ftuarit theksuan se tregu i kafshëve është problem kryesor, pasi vijon që të mos jetë i kontrolluar. Profesori i mjekësisë veterinare Kristaq Berxholi tha se problemi fillon nga mungesa e Drejtorisë Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë, që sipas tij ka 6 vite që është shkatërruar. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatave të Blegtorisë deklaroi se më mirë të mos ishin mbyllur thertoret se tani kafshët po theren në rrugë. Për Alban Zusin, një tjetër problem është matrikullimi i kafshëve, ndërsa kryebashkiaku Isa Sakja kërkoi që ministria të bëjë një hartë të tregjeve dhe cdo njësi të ketë tregun e vet, që të jetë i monitoruar.