Debate në KQZ, Kaso: Nëse nuk pranoni komisionerët tanë ju ndjekim penalisht! Biba: Na shantazhove!

23 Maj 2019, 12:17 | Përditesimi i fundit: 2019-05-23 17:09:28

Anëtarët e mazhorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve refuzojnë kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, me argumentet se partitë nuk janë subjekt zgjedhor, dhe nuk janë më parti parlamentare. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso tha se anëtarët e KQZ janë kërcënuar nga mazhoranca për të mos pranuar komisionerë, ndërkohë ishte vetë ai që e ktheu në kërcënim ndaj anëtarëve duke i përmendur burgun në rast se nuk votojnë. .

PD dhe LSI,  edhe pse jo parti parlamentare, kërkuan të shfrytëzonin atë që e quajtën si të drejtë ligjore nisur nga rezultati i zgjedhjeve të 2017-ës. për të pasur komisionerë në zgjedhjet e 30 qershorit, edhe pse ato i kanë bojkotuar zgjedhjet dhe nuk kanë asnjë kandidat për kryetar bashkie.

Bledar Skënderi, anëtari i KQZ-së deklaroi votën kundër. "Nuk kanë të drejtë ligjore për të çuar komisionerë", tha ai. Ndërsa referuar atyre që ai i quajti presione nga ana e Ivi Kasos se do të ketë kallëzime penale nëse nuk pranohen komisonerët, ai u shpreh: "Ne kemi vetëm ligj në bindjen tonë dhe do ta zbatojmë atë".

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, tha se është e drejtë ligjore për të pasur komisionerë. Ai tha në mbledhjen e KQZ, se në procesin e deritanishëm ka shkelje të mëdha ligjore që sipas tyre lidhen me regjistrimin e kandidatëve të tjerë, siç janë të Bindjes Demokratike të Astrit Patozit, që sipas Kasos, por tentohet të krijohet një opozitë fasadë.

Kaso tha se anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë kërcënuar për të mos pranuar regjistrimin e komisionerëve. Ndërkohë nga ana tjetër tha se nëse do të ketë ndonjë vendimmarrje kundër pranimit të komisionerëve, atëherë do të përballen me përgjegjësi penale. Anëtari i KQZ-së Denar Biba, tha se ky është një shantazh shumë i rëndë për të ndikuar në mënyrën e votimit, në sajë të kërcënimit. Kaso tha se vetëm sa parashtroi të drejtat ligjore që sipas tij i takojnë PD-së.

"Opozitë fasadë për të zëvendësuar opozitën e vërtetë. Është një proces zgjedhor i mbushur me paligjshmëri, që në më shumë se gjysmën e bashkive ofron një kandidaturë të vetme. Eksponentë të mazhorancës kanë kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë komisionerët tanë. Anëtarët e KQZ të mos bien pre e presioneve. Ju paralajmëroj se nëse nuk udhëhiqeni nga ligji,  do të ballafaqohet me forcën e ligjit dhe me përgjegjësi penale në rast të shpërdorimit të detyrës. Ligji është i qartë dhe nuk mund të bëhet objekt debati", tha Ivi Kaso.

"Na shantazhove. Ishte shume e rëndë dhe e ulët. Është hera e parë", u shpreh Denar Biba.