Debate për krimet në Shkodër, Ardi Veliu 'injoron' Voltana Ademin

1 Prill 2019, 11:39 | Përditesimi i fundit: 2019-04-01 12:21:05

'Krimi ka lëshuar rrënjë në Shkodër',  Lleshaj prezanton 'planin' për të goditur bandat.

Krimi në qytetin e Shkodrës  ka arritur të lëshojë rrënjë, goditja e të cilit mbetet një ndër sfidat më të mëdha të Policisë së Shtetit. Kështu deklaroi nga kryeqendra e veriut, ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, teksa prezantoi prefektin e ri të qytetit, Valdrin Pejtrin.

"Niveli i sigurisë është sfiduar disa herë. Ato janë produkt i krimit të organizuar në vite. Krimi ka arritur të lëshojë rrënjë në Shkodër. Me gjithë goditjet e mëdha sërish ngelet një sfidë shumë e madhe", tha ndër të tjera ministri.

Në Shkodrën, që jo më larg se të shtunën e 30 marsit, u trondit nga një atentat i dyfishtë, ministri i Brendshëm thotë se tashmë ka shpresa për të goditur fort krimin. Për këtë, ai shprehu besimin tek drejtori i ri i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj. Ky i fundit, me një karrierë të gjatë në policinë e shtetit, mori detyrën kur kaluan pak orë nga atentati i rëndë, pas urdhrit të Lleshajt për të shkarkuar drejtorin Vehbi Bushati.

"Besoj që me drejtorin e ri dhe përforcimet që do të vijnë do të arrijnë të godasin fort krimin", tha ministri Lleshaj.

Ministri i Brendshëm nga ana tjetër, si zgjidhje në situatën e rënduar të kriminalitetit në Shkodër, shikon edhe bashkëpunimin e qytetarëve me policinë.

"Ftoj qytetarët që të bëhen palë dhe të gjithë së bashku të sfidojnë krimin", përfundoi ministri Lleshaj.

Debatet

Sandër Lleshaj: Nevoja për më shumë siguri e qytetarëve, është e domosdoshme.

Jemi të gjithë të informuar që niveli i sigurisë në qarkun e Shkodrës është sfiduar disa herë gjatë viteve të shkuara, kemi pasur goditje të forta dhe të rënda në drejtim të sigurisë publike që janë produkt i një krimi të organizuar dhe të pjekur ndër vite, i cili ka arritur të lëshojë rrënjë në qytetin e Shkodrës, i cili në fakt njihet për kryeqytetarinë e Shqipërisë. Ky qytet që i ka dhënë Shqipërisë pjesë të madhe të vlera për fat të keq është goditur nga krimi i akumuluar për disa dekada, me gjithë sukseset e mëdha goditjet e mëdha që janë dhënë ende mbetet sfidë e madhe.

Besoj që drejtori i ri i Policisë bashkë me stafin e tij aktual dhe me përforcimet e reja që do të marrë pa asnjë kursim dhe pa asnjë hezitim nga ministria e Brendshme besoj do jetë në gjendje ta thellojë punën e bërë deri tani për të garantuar që siguria në qarkun e Shkodrës do të jetë në nivelin që meriton.

I bej thirrje qytetarëve të bëhen palë me policinë përballë krimit dhe përballë atyre që e cënojnë qetësinë dhe jetën normale të tyre. Shpresoj dhe besoj që prefekti iri, duke pasur bashkëpunimin e drejtuesve të njësive vendore, besoj do jetë një vlerë e shtuar në përpjekjen e qeverisë për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Shkodrës.  Ju lus që vetëm t'i mbështesni, se pak mbështetje, qoftë edhe morale është inkurajim i madh që këta njerëz ta ndjejnë veten në shtëpinë e tyre, të punojnë fort, dhe t'i japin qytetarëve siguri.

Voltana Ademi: Du me dal jashtë politikës se kjo është e rëndësishme. Cështjet që du me trajtu nuk lidhen me detyrat e koordinimit në nivel prefekture, por me një nivel përgjegjësie që duhet të kemi përkundrejt qytetit të Shkodrës. Situata në të cilën prefekti emërohet nuk është e mirë. Ngjarjet e fundit janë bërë problematike. Nuk është vetëm Shkodra, është fatkeqësi për qytetin tonë, sidomos tani në sezonin turistik. Shkodra, por jo vetëm Shkodra, është edhe Vlora, Elbasani Durrësi, por fatkeqësisht Shkodra promovohet si qyteti ku ndodhin vrasje, grabitje, dhe kjo na shqetëson shumë.

Flas si grua, si nënë, si qytetare. Qytetarët e Shkodrës janë qytetarë shumë të mirë, e duan shumë qytetin e tyre dhe duan të jetojnë këtu. Ne kemi marrë përgjegjësi që duhet t'i çojmë deri në fund me seriozitetin që i takon.

Voltana Ademi: Nuk është çështje e vullnetit të një personi, nuk është aspak politike. Nuk e bën edhe një polici vetëm në Shkodër, do duhet të ketë forca të specializuara, ne duhet të parandalonim ngjarjen. Në këto histori ka pasur edhe njerëz të pafajshëm që kanë hëngër plumb

Ardi Veliu: Para një jave nuk më the këtë opinion....(ikën)

Voltana Ademi: Ju s'mund të largoheni kështu, s'është korrekte me qenë kështu, nëse nuk e shqetëson qeverinë për mu s'ka problem

Është gjithë pushteti nën presion, unë deklaratat e mia i bëj publike gjithmonë...