Debati në 'Repolitix'/ 'Vettingu në politikë', çfarë rrezikojnë Rama, Basha, Meta dhe Berisha (Pasuritë)

7 Shtator 2018, 23:06

Propozimi i kryedemokratit Lulzim Basha për të bërë Vetting edhe në politikë ka qenë tema e debatit në emisionin "Repolitix" të gazetarit Denis Minga, në Report Tv. Pasuritë dhe kontaktet me të inkrimuar parashikohet të jenë shtyllat e këtij ligji që tashmë ndodhet në Kuvend. Gazetari i "Shqiptarja.com", Adriatik Doçi, zbardhi skedën e pasurive të katër njerëzve që dominojnë prej 28 vitesh politikën shqiptare. Sipas tij, Edi Rama, Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk kanë asnjë biznes të deklaruar, por nga ana tjetër disponojnë pasuri të konsiderueshme.

Të ardhurat e tyre burojnë nga paga e të ushtruarit të funksioneve publike dhe angazhimi i fëmijëve si ndërmjetës ose sekserë për shitjen e pasurive të paluajtshme. Me përjashtim të Lulzim Bashës, i cili para se të hynte në politikë ka deklaruar pasuri të cilës nuk dihet origjina, Berisha, Rama dhe Meta kanë hyrë në politikë me pasuri modeste, si shumica e shqiptarëve. 

Nëse gjatë vitit 2016, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive konstatonte se vetëm 12 zyrtarë të lartë posedonin rreth 40 milionë euro pasuri të pajustifikuar, për vitin 2017, ILDKPKI ka konstatuar se funksionarët e lartë posedojnë 80 milionë euro pasuri të pajustifikuar me burime të ligjshme të ardhurash. Mbi 300 zyrtarë të niveleve të ndryshme janë kallëzuar penalisht nga ILDKPKI në harkun kohor 2014-2018, për pastrim parash të pista, fshehje pasurie, deklarim të rremë, falsifikim dokumentesh etj. Të dënuar Mark Frroku me 7.5 vite burg nga shkalla e parë, ndërsa Gjykata e Apelit ia uli në 6 vite. Dënuar nga gjykata me gjobë gjyqtari i Elbasanit, Qani Hasa, për fshehje pasurie.

Adriatik Doçi, gazetar i Shqiptarja.com

    No videos found.