Debati për zgjerimin me 12 milje, Rama: Greqia në të drejtën e saj, s'po gllabëron ujërat shqiptare! Sulmet për pushtet

27 Gusht 2020, 15:35

TIRANE-I gjendur mes akuzave të shumta nga opozita kundër tij dhe qeverisë për çështjen e kufirit detar me Greqinë, kryeministri Edi Rama ka reaguar duke sqaruar me një shkrim të gjatë si qëndron e vërteta sipas tij. "E vërteta është e thjeshtë" thotë ai. Kreu i qeverisë shqiptare shprehet se kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujërat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982.

Një gjë të tillë, vijon më tej Edi Rama, e ka bërë edhe Shqipëria në 1990 dhe nuk është kontestuar asnjëherë nga fqinjët tanë dhe qëndron në fuqi sot e përgjithmonë. Më tej, Edi Rama sqaron se negociatat për delimitimin e hapësirave detare nuk e cenojnë dot assesi të drejtën në fjalë, as për Shqipërinë dhe as për Greqinë. Por për cfarë po bëhet gjithë kjo zhurmë? Edi Rama e ka një përgjigje. "Ajo është thjesht, vetëm dhe mjerisht arsye lufte për pushtet" thotë ai.

"Latinët, grekët dhe deti në mes. Ignorantia non est argumentum, padituria nuk është argument thonë latinët. Por fatkeqësisht sot, në kohën kur informacioni filtrohet gjithnjë e më pak në sitën e të vërtetës; kur çdokush mund të hedhë çfarë t'i teket në rrjetin mediatik të ajfonit të vet dhe kur lumenjtë e informacionit sjellin me furi gjithëfarësoj lajmesh të vërteta e të rreme përzier; kur e vërteta dhe rrena e kalojnë njësoj lumin dhe kur për më tepër, mjedisi politik e mediatik është i infektuar keqaz, botërisht, nga virusi i shpifjes - fake neës - padituria nuk luftohet më si më parë, po ushqehet gjithnjë e më shumë, sipas interesave të informatorëve të të gjitha niveleve e kategorive.

Rast tipik "falja e detit grekut", "marrja e detit nga greku", "ikja e detit tek greku", që është kthyer si ato këngët e vjetra që ringjallin emocione sa herë na dalin në youtube, pavarësisht se është një sajesë e vjetër tanimë, qyshse negociatat tona me palën greke po materializoheshin në një dokument konkret, bazuar mbi normat ndërkombëtare dhe të drejtën e detit.

Deformimi skandaloz që iu bë asokohe një deklarate publike të Ministrit të Jashtëm grek për "zgjerimin nga 6 në 12 milje të ujrave detare të Greqisë" dhe sulmi i orkestruar kundër marrëveshjes së re për detin, ishte tipik rasti i ushqimit të paditurisë si argument me helmin e nacionalizmit. E njëjta deklaratë, krejt korrekte, e kryeministrit Micotaqis këto ditë, po ushqen përsëri padinë si argument tradhëtie të qeverisë sonë!

E vërteta është e thjeshtë. Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujrat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982.