Dëbimi i ambasadorit iranian, presidenti i SHBA Trump letër Ramës: Treguat udhëheqësi

20 Dhjetor 2018, 14:30

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka përgëzuar qeverinë e Shqipërisë dhe kryeministrin Edi Rama për vendimin e dëbimit nga Tirana të ambasadorit të Iranit. Përmes një letre drejtuar kreut të qeverisë shqiptare, Trump shkruan se vendosmëria e treguar nga Rama është shembull i përpjekjeve të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda.

“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda.

Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkuara dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin. Sinqerisht, Donald Trump” shkruhet në letrën e Presidentit të SHBA drejtuar kryeministrit shqiptar. Dëbimi nga Shqipëria i ambasadorit të Iranit është bërë pak ditë më parë, pasi edhe letra e Presidentit të SHBA mban datën 14 Dhjetor.

    No videos found.