Dëbora dhe ngricat, nga veriu në jug, ja zonat e bllokuara

5 Janar 2019, 17:09

Vijon situata problematike nga reshjet e dëborës dhe ngricat në disa qarqe të vendit nga veriu në jug. Në Kukës, Dibër, Bulqizë, Korçë, por edhe në Krujë vijojnë që të jenë të bllokuar disa fshatra prej 48 orësh.

Në Krujë janë të bllokuara fshatrat Çudhi Zalle, Çudhi Kamp, Bruz Mal, Bruz Zalle, Rranzë dhe parku kombëtar i Qafë Shtamës. Në Dibër nëntë fshatra në njësinë Lurë, në Bulqizë zona e Terrovës, Martaneshi raportohet se është pa ujë të pijshëm për shkak të problemeve të tubacioneve me ngricat.

Në Korçës është bllokuar fshati Panarit dhe në Pogradec zona e Mokrës. Në Kukës vijon i bllokuar fshati Arrën, ndërsa probleme për shkak se nuk është mirëmbajtur ka rruga Zapot-Shishtavec. Në jug është e bllokuar vetëm zona e Kurveleshit. Reshjet e dëborës gjatë natës nuk kanë qenë të dendura por problem mbetet prezenca e ngricës dhe akullit në rrugë.

IGJEUM thekson se ditën e sotme reshjet do të jenë në formë dëbore deri në 600 m mbi nivelin e detit, ndërsa në zona shumë të kufizuara mund të zbresin dhe poshtë këtij niveli, përfshirë edhe bregdetin e Jonit, por kryesisht dëborë e përzier me shi, sikur ndodhi edhe dje (lexo këtu). Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit, sipas IGJEUM pritet të arrijnë: në bregdet: -1 / 5 °C, në vendet e ulëta: -2 / 5 °C dhe në vendet malore: -13 / -3 °C.