Dëbora në vend/ Kreu i ARRSH-së për Report Tv: Nuk ka asnjë aks nacional të pakalueshëm

9 Janar 2019, 13:57

LIBRAZHD- Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro ka shkuar në Librazhd për të inpektuar gjendjen e rrugëve ku më shumë se gjysma e qyteteve të Shqipërisë janë ‘pushtuar’ nga dëbora.

Në një lidhje telefonike për Report Tv, Qëndro është shprehur se nuk ka asnjë aks nacional që të mos jetë i kalueshëm.

“Kemi reshje bore në të gjithë vendin. Për momentin kemi një problem të madh sepse drejtuesit e mjeteve nuk i respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Duhet të bëhen të gjithë të vetëdijëshëm që kjo është një situatë e rrezikshme. Shërbimet e policisë rrugore janë në terren. Nuk kemi rrugë dhe akse të bllokuara të pakalueshme por kemi vështirësi në qarkullim. Apel shofereve: Ndiqni urdhëzimiet që jep ARRSH dhe përdorini zinxhirët. Në segmentet në dalje të Elbasanit, Qafë-Thana, aksi Pogradec-Korçë, Qafa e Qarrit, Peshkopi, Bulqizë dhe në Bajram Curri duhet patur shumë kujdes. Të gjitha kompanitë dhe mjetet janë në terren për të punuar. Disa akse i kanë kaluar pushteteve lokale dhe ato duhen të përgjigjen për lirimin e rrugës,”- tha Afrim Qëndro. 

Problematike paraqitet situata në aksin nacional Librazhd-Qafë Thanë ku po punojnë disa borëpastruese për mbajtjen e rrugës hapur. Aktualisht qarkullimi në këtë aks kryhet me zinxhirë.