Dëbora 'shpëton' turizmin, Operatorët: Jemi larg vendeve të rajonit, duhen investime!

18 Janar 2021, 21:54

Pas një viti aspak të lehtë për turizmin si pasojë e pandemisë COVID-19, reshjet e dëborës që kanë mbuluar shumë qytete e destinacione atraktive të vendit, janë kthyer në shpresë për sektorin. Korça dhe Pogradeci janë pikat më të kërkuara.

“Këto fundjavat dimërore kanë qenë deri diku të suksesshme sa i takon turizmit malor. Mund të themi që ishin shpëtuese për ato zona që u frekuentuan, Korçë, Pogradec kryesisht”, thotë Ferjolt Ozuni operator turistik.

“Rënia e borës solli një tendencë dhe lëvizje dhe është kryesisht një turizëm që bëhet nga vendasit pasi ne nuk kemi standarde në mënyrë absolute për të konkurruar me rajonin, as Kosovën e cila është shumë herë më mirë sepse ka disa pista profesionale”, shprehet kreu i shoqatës së turizmit Zak Topuzi.

Sezoni i turizmit malor do të ishte më i suksesshëm nëse do të kishte më shumë investime në infrastrukturë rrugore, akomoduese dhe argëtuese.

“Disa nga pikat kryesore tonat Valbona dhe Thethi kishin rrugë të bllokuara dhe mungesë energjie elektrike. Ka nevojë për përmirësime të dukshme që vijnë që nga infrastruktura, mirëmbajtja e rrugëve, organizimi i pushtetit vendor dhe lokal që nuk është në lartësinë e duhur. Duhet të plotësohet produkti qoftë me pistat e skijimit, qoftë me pishina dimërore, sauna, SPA që janë elemente të rëndësishme të këtij turizmi”, sqaron Topuzi.

Kreu i shoqatës së turizmit Zak Topuzi thotë për Report TV se duhen lehtësi fiskale për këtë industri të brishtë.  

“Është një industri e cila është shumë e vështirë kërkon stimulim, kërkon zona pilot që të jenë pa taksa. Duhet që shteti ta stimulojë këtë industri njësoj siç bëri për agrobiznesin apo hotelet me 5 yje”, tha Zak Topuzi.