Dëbora zbardh Shqipërinë, pamjet

9 Janar 2019, 11:28

Reshjet e dëborës kanë prekur edhe kryeqytetin, ndonëse me intensitet të dobët. Flokët e parë të dëborës në Tiranë kanë nisur rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm dhe kanë zgjatur disa minuta duke krijuar edhe shtresën e parë të bardhë e cila nuk ka qëndruar gjatë. Bora është shkrirë pa zbardhur dita por gjithsesi 'gjurmët' e saj ishin prezente në disa zona të qytetit të Tiranës. Gjithashtu, reshje bore ka pasur edhe në Elbasan e Librazhd. Aktualisht për shkak të dëborës janë krijuar vështirësi në qarkullim edhe në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Qafë-Thanë dhe në të gjitha akset rurale të Qarkut të Elbasanit. 

Për herë të parë këtë vit, ky mëngjes ka gjetur të zbardhur edhe Shkodrën. Gjatë natës ka pasur reshje bore në qytet ku mësohet se trashësia ka arritur në 3-4 cm dhe për pastrimin e rrugëve është dashur ndërhyrja e borëpastrueseve. Si rrallë herë, edhe Gjirokastra është mbuluar nga bora. Gazetari i Report Tv, Piro Nase raporton se trashësia e borës në qytet arrin në mbi 10 cm, ndërsa në zonat rurale 30-40 cm. Problematike situata paraqitet në Dibër. Gjysma e fshatrave të këtij Qarku janë të bllokuar. Reshjet kanë sjellë edhe pezullimin e mësimit në Gjirokastër, Pukë, Mirditë, Fushë Arrëz si dhe në disa fshatra të Korçës. Ndërsa në zonat e tjera të prekura nga moti i keq, orët mësimore po zhvillohen të reduktuara.