Dede provokon Vllazninë para derbit të Shqipërisë, Brdaric: Nuk i përgjigjejm trajnerit të Tiranës

29 Dhjetor 2020, 14:40

Të mërkurën do të luhet java e fundit e Superligës për këtë vit, që rezervon derbin e Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë. Në ndeshjen e parë shkodranët dolën të fituar me një gol në minutat e fundit, duke lënë një zhgënjim të madh te kampionët në fuqi. Në prag të sfidës së dytë, trajneri i bardhebluve Nevil Dede ka provokuar jo pak kryesuesit e Superligës:

Nevil Dede, trajneri i Tiranës: “Të shohim se çfarë do të ndodhë nesër, nëse do mbrohen shumë apo do vijnë të luajë futbollin e tyre. Do kisha dëshirë të vijnë të provojnë edhe në Tiranë, siç e provuan me fat edhe në Shkodër.”

Grent Halili, futbollist i Tiranës: “Ne jemi Tirana dhe futemi në fushë vetëm për tre pikët. Dua të them që çdo ndeshja ka specifikën e vet, por ne do të fitojmë fitoren për ta mbyllur këtë vit sa më mbarë.”

Ndërkohë në kampin shkodran e presin më me qetësi këtë sfidë, pasi trajneri Thomas Brdaric nuk pranoi t’i përgjigjej ngacmimit të Dedes.

Thomas Brdariç, trajner i Vllaznisë: “Unë nuk kam asnjë përgjigjje për trajnerin Dede sepse secili ka dëshirën e vet. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, historikisht mes dy ekipeve dhe gjithsecili kërkon për të fituar. Unë e di se të gjithë thonë ne duam të fitojmë, por ne jemi të përqendruar te ekipi jonë.”

Erdenis Gurishta, futbollist i Vllaznisë: “Për ne është ndeshja e radhës, ashtu siç ishte edhe kundër Skënderbeut. Mendoj se nuk duhet ta mbivlerësojmë Tiranën sepse është një ndeshje e radhës  dh eta vlerësojmë aq sa aktualisht e meriton.”

Një ndeshje tjetër mjaft interesante do të jetë ajo mes Kukësit dhe Teutës, ndërsa Partizani udhëton për t’u përballur me Laçin, një sfidë që parashikohet tepër e vështirë. Dy ndeshjet e tjera të javës së 12 janë Apolonia-Kastrioti dhe Skënderbeu Bylis.