TIRANË-Kryetari i PD, Lulzim Basha përmes një konferencë për mediat sulmoi sërish kryeministrin Edi Rama në lidhje me projektin e Unazës së Re. Fjalori i liderit të opozitës degjeneroi në fjalë fyese dhe ofendime, ndërsa në fund e kërcënoi dhe e paralajmëroi që të tërhiqej nga projekti i Unazës së Re. “Edi Rama po përdor policinë si burracak, vendosi vajza të pambrojtura në linjën e parë të policisë. I përdor për propagandë dhe donte ti bënte dëshmore me zor, o plehër, o i sëmurë. Por ajo duhet të punojë në një vend tjetër jo në radhën e parë të protestës.
Por kështu e mbajte mandatin e parë i bëre kriminelët biznesmenë dhe tani do të bësh policet vajza dëshmore. O i çmendur o hajdut. Sot dua të jap një mesazh të qartë; tërhiqu nga afera korruptive e Unazës së Re, së shpejti do të marrësh atë që meriton. Bëj thirrje që të ndalohet dhuna ndaj të shoqëruarve dhe arrestuarve. Nuk ke për ti marrë ato 40 milionë euro, kjo është vija e kuqe, zmbrapsu dhe mendohu mirë. U bëj thirrje policisë që të bëhen pjesë e qëndresës dhe përballjes” deklaroi Basha.
Reagimi i Bashës erdhi pas deklaratës së kryeministrit Rama sot që fajësoi sërish opozitën për protestën e dhunshme para Kuvendit, ndërsa referuar plagosjes së efektives tha se “për fat, ajo nuk u bë dëshmorja e parë e Policisë së Shtetit” (lexo këtu). Opozita vijon prej 21 ditësh protestën në mbështetje të banorëve të Unazës së Re kundër projektit që parashikon mos legalizimin e banesave pa leje.