Dëgjesat publike për pallatet e dëmtuara nga tërmeti në Kombinat, Veliaj: Fjala u takon inxhinierëve

16 Korrik 2020, 14:23 | Përditesimi i fundit: 2020-07-16 17:45:58

Bashkia e Tiranës ka nisur sot dëgjesa publike me inxhinierë ndërtimi dhe ekspertë, të cilët kanë kryer vlerësimet përkatëse për pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Kombinat. Fillimisht do të vendoset nëse këto pallate duhen prishur apo rindërtuar, apo edhe nëse ka mundësi për rikonstruksion.

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj siguroi qytetarët se fjala e fundit për marrjen e një vendimi të tillë u takon vetëm inxhinierëve të licencuar dhe ekspertëve, në bashkëpunim me Institutin e Ndërtimit. “Asnjë nuk e ka të lehtë kur largohet nga shtëpia, madje as kur ndërron një shtëpi ku ruan kujtimet e fëmijërisë, le më kur është i detyruar për shkak të tërmetit. Por, janë vendime të drejta e të rëndësishme që duhet t’i marrim sot. Për çdo studim të thelluar të një pallati ka 7-8 libra me raporte; ka gjithashtu, edhe oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit”, tha ai, në dëgjesën për vlerësimin e pallateve nr. 149, 151, 155 157, 160 165, 174, në Kombinat dhe Kashar.Ai theksoi se në Këshillin Bashkiak janë miratuar 3 mijë pagesat e para për dëmshpërblimet kesh, ndërsa shumë shpejt do të miratohet edhe lista me 3 mijë emrat e tjerë, deri në përmbylljen e plotë të 7 mijë dosjeve të mbetura. Veliaj siguroi se falë këtij ritmi pune, dëmshpërblimet do të mbyllen në kohë rekord. Gjithashtu, deri tani janë miratuar 200 kontratat e para individuale për dosjet e rindërtimit të kategorisë DS4-DS5, ndërsa po kryhet ekspertiza e thelluar për pallatet.