Degradon shëtitorja e lumit Drin në Lezhë, qytetarët: Të rregullohet, është i vetmi ambient çlodhës

1 Nëntor 2020, 16:07

Kjo është gjendje e shëtitores së Lumit Drin në qytetin e Lezhës sot

Ajo është ndërtuar pak kohë më parë. Parmakët prej druri janë thyer dhe hequr, ndërsa trotuari ka rrëshqitur e pësuar dëmtime në disa vende.

Krahas papërgjegjshmërisë së qytetarëve keq-bërës, të tjerë thanë se dëmtimi i shëtitores ka ardhur edhe për shkak të mos mirëmbajtjes nga pushteti vendor

“Dora jonë e zezë i bën këto shkatërrime. Bashkia duhet të vëre dorë sa më parë. Çdo gjë e bukur ka lezet. Kur e lë kështu të ngjall neveri”, tha një banor.

“Kjo shëtitore nuk është aspak normalë që është bërë kështu. Fajin e ka edhe populli por  edhe bashkia që nuk merren me të. Duhet të merremi të gjithë të tërë bashkë. Të gjithë punët kanë mbetur pas dore. Bashkia duhet ta riparoje dhe ne si qytetarë ta mirëmbajmë”, shprehet një tjetër banor.

“Nuk e meriton Lezha të ketë këtë shëtitore kështu. Këtu e kemi jetën ne që jemi të sëmurë. I lutem kryetarit të bashkisë që ta mirëmbaje. Të ndezin dritat”, thotë banori për Report Tv.

“Nuk ka rëndësi kush e bëri. Policia të merret. Ta kape njërin e ta çoje tek vendi, ta gjobisë”, shprehet i moshuari.

Shëtitorja e Drinit, rruga hyrëse dhe sheshi “Gjergj Kastrioti” janë ndërtuar në vitin 2014.