Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla po ‘shkëlqen’ në biznesin e pronave. Por deklarata e pasurisë së tij për vitin 2017 rrethohet nga një mister, për shkak të një pasaktësie, e cila nuk dihet nëse është e qëllimshme apo shkak i një pakujdesie.
Në deklaratën e pasurisë ish-kryeprokurori shkruan se ka blerë 249 mijë m2 tokë për vetëm 10 305 000 lekë, por në kontratën e firmosur, rezultojnë 24 mijë m2 tokë, blerë me të njëjtin çmim. Duke marrë të mirëqenë se sipërfaqja e tokës së shkruar nga Llalla në deklaratë është dhjetë herë më pak, pra një gabim nga pakujdesia, ish-kryeprokurori, gjatë vitit 2017, deklaron se ka blerë 12 000 m2 tokë arë për 1 125 000 lekë.
Sipas përllogaritjeve, Llalla ka blerë një metër katrorë tokë me 92 lekë. Po gjatë këtij vitit, ish-kryeprokurori thotë se ka blerë tokë arë me sipërfaqe 12 000 m2, me çmim 7 380 000 lekë, pra me 615 lekë metrin katror. Gjithashtu, ish-kryeprokurori deklaron se ka blerë edhe një tjetër tokë arë me sipërfaqe 3 000 m2, me vlerë 1 800 000 lekë.
Në këtë rast Llalla e ka marrë me 600 lekë metrin katror. Tokat shtrihen përballë qendrës tregtare TEG, në Mjull Bathore dhe pranë një resorti të njohur në fshatin Qeha Shytaj. Në këtë zonë një metër katrorë tokë varion nga 50 deri në 150 euro, por Llalla e ka blerë një metër katrorë me 92 lekë deri në 600 lekë.