Deklaratat e Ramës në Kosovë, reagon ambasadorja gjermane: Perspektiva është BE, të normalizohet dialogu me Serbinë

27 Nëntor 2018, 17:56

Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Kosovë, lidhur me integrimin e Kosovës por edhe për marrëdhëniet me Serbinë dhe Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë shqiptare tha dje se BE po shfaqet me dy fytyra ndaj Kosovës, ndërsa nga ana tjetër, sipas tij, Brukseli po përkëdhel Beogradin.  (LEXO KËTU)

Nga Korça ku ishte e pranishme në një vizitë dhe takim me kryetarin e Bashkisë, Sotiraq Filo, Schütz ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë dialogun me njëra-tjetrën në mënyrë që t’i hapin rrugë integrimit.

“Ne kemi thënë si Gjermani që 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë për anëtarësimin në BE, kjo vlen edhe për Kosovën e Serbinë por është e rëndësishme që këto dy vende të bëjnë progres për normalizimin e dialogut mes tyre dhe në këtë kontekst shpresoj që diferencat mes këtyre dy vendeve të përballohen. Qeveria federale gjermane dhe vetë kancelarja gjermane ka thënë që një ndryshim i kufijve do të çonte në një zgjidhje.“-u shpreh ambasadorja gjermane Schütz.

Schütz ka përsëritur apelin që opozita shqiptare të kthehet në parlament. Ajo tha:

Ne jemi të mendimit që në demokraci nevojitet një opozitë por edhe për këtë opozitë vendi është në parlament dhe unë i bëj apel opozitës që të kthehet përsëri në parlament sepse ka shumë ligje për tu miratuar si reforma e kodit zgjedhor , për të cilat nevojitet edhe vota e opozitës.

Ambasadorja ka thënë se Shqipëria ka bërë shumë progres dhe se ka një perspektivë për t’u bërë pjesë e unionit.

 “Vendi ka një perspektivë për t’u anëtarësuar dhe ne shpresojmë që kjo do të arrihet vitin që vjen. Shqipëria ka bërë shumë progres në këtë rrugë, por ka edhe shumë të tjera për të bërë në luftën ndaj krimit të organizuar edhe korrupsionit, duhet të ketë ende zhvillime dhe përparësi në këto pika.”-tha ambasadorja.

    No videos found.