Meta kërkon referendum me simbolin e shqiponjës: Shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë

22 Nëntor 2019, 18:51 | Përditesimi i fundit: 2019-11-23 07:27:38

TIRANE- Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se vija e kuqe është Kushtetuta, ndërsa solli në vëmendje 22 nëntorin që përmes referendumit popullor solli kushtetutën e re.

"Kushtetuta e '98-ës vendosi rotacionin normal politik. Kjo kushtetutë gëzon nderimin e shqiptarëve, por u zhbë në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e vitit 2008. Ndryshimet që u bënë në 2016-ën kanë nxjerrë në pahj probleme akute që u paralajmëruan se do të ndodhnin. Kushtetuta u kthye në rregullore me data dhe afate që janë shkelur që të gjitha, që kanë shkaktuar një kaos ligjor që po çon në paralizimin e sistemit të drejtësisë. Me këto afate një pensionist nuk mund ta gëzojë kurrë pensionin që i takon!", shtoi më tej Meta, teksa tha se si presidenti "do t'i kundërvihet me të gjitha forcat përpjekjeve të tilla anti-shqiptare.

Shqiptarët të hapin sytë, të marrin fatin e tyre në dorë, në mbrojtje të kushtetutës dhe që fëmijët e tyre të mos ikin nga atdheu. Kushtetuta është vijë e pakalueshme nga armiqtë e saj. Presidenti do të jetë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave themelore të popullit. Presidenti do të kërkojë mbështetjen e popullit që përmes referendumit të mbrojë demokracinë që është fituar me vuajtje dhe sakrifica njerëzore", tha Meta.

Presidenti do të bëjë gjithçka që e drejta për referendum të mbrohet. "Të mbrojmë kushtetutën sot dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, Shqipëria e para", përfundoi kreu i shtetit duke bërë simbolin e shqiponjës me dy duar.

Kjo deklaratë e Metës vjen pas ngërçit të krijuar përgjatë javëve të fundit për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Një ditë më parë vettingu shkarkoi në apel Besnik Muçin, të dekretuarin e Metës si anëtar të Kushtetueses. Po sot kreu i shtetit shpalli sërish vakancën për anëtarin në Kushtetuese në vend të Muçit, ndërsa ky i fundit nuk e ka pranuar vendimin e vettingut teksa sot shkoi sërish në Gjykatën Kushteutese.