Pasi ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve disa ditë më parë, kandidati i LSI-së Nimet Musai ka dhënë edhe dorëheqjen nga Këshilli bashkiak në Bashkinë e Fierit, ku ishte këshilltar nga radhët e LSI-së.
Në mbledhjen e sotme të këshillit të bashkisë ku ka marrë pjesë Nimet Musai është shprehur: Do të jem edhe në parlament i njëjti person si më keni njohur këtu". Me këtë deklaratë Musai lë të kuptuar se edhe në Kuvend do të jetë zë opozitar.
Me dorëzimin e formularit të vetëdeklarimit, hidhet hapi kryesor i pranimit të mandatit që hoqën dorë deputetët e partisë së tij. Pas verifikimit të formularit, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, KQZ do t'i japë mandatin e deputetit për të bërë më tej betimin në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Deri më tani, bashkë me Nimet Musain, në Kuvendin e Shqipërisë opozita e re parlamentare pas dorëheqjes së PD-së, LSI-së dhe aleatëve të djathtë, shkon në 16 deputetë.
11 kandidatë janë betuar në dy seancat e shkuara, tre deputetë, Mylsim Murrizi, Lefter Koka dhe Rudina Hajdari nuk hoqën dorë nga mandati, ndërsa më herët ka dorëzuar formularin në KQZ edhe kandidati i LSI-së në qarkun e Tiranës.
KQZ do të thërrasë të gjithë kandidatët në listat zgjedhore të PD dhe LSI në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, deri në shterimin e tyre. Nga momenti i njoftimit nga KQZ, kandidatët kanë 10 ditë kohë për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit, nëse duan që të pranojnë mandatin. Në të kundërt, ata skualifikohen dhe thërritet i radhës.