'Dekorove një xhelat, sadist të diktaturës', ish-i burgosuri politik Gëzim Peshkëpia i kthen Presidentit Meta dekoratën

3 Prill 2021, 17:29

#reportTV #lajmeshqip #lajme Të ashpra janë reagimet pasi Presidenti Ilir Meta dekoroi para disa ditësh Mehdi Bushatin, ish-sportist por që akuzohet nga shumë ish-të burgosur politik si torturues i sigurimit të shtetit. Gëzim Peshkëpia, një ish i burgosurit politik, anëtar i Bordit të Institutit studimit të krimeve të komunizmit ka marrë vendimin ekstrem për të doreëzuar dekoratën që ai ka marrë nga institucioni i Presidencës.Në një letër të hapur drejtuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Peshkëpia thotë se dekoratën e lartë që ka marrë nga shteti shqiptar ka mbajtur me krenari e nderim ne një kornizë në studion e tij në Gjermani të varur në mur. Por tashmë nuk e mban më pasi i njëjti institucion që nderoi atë ka nderuar një 'xhelat të diktaturës'. "Them "e kam mbajtur" sepse nuk e mbaj më. Atë e hoqa dhe do ua kthej fizikisht në ccastin më të parë të mundshëm. Te dy dekoratat janë ekuivalente, por ndryshimi qëndron tek mbajtësit e tyre. Njëra i akordohet një familje të persekutuar keq nga regjimi komunist, ndërsa tjetra një persekutori sadist. Edhe pse nuk më është dhënë personalisht nga i njëjti President unë atë e kam konsideruar nga shteti shqiptar, institucioni i Presidencës si përfaqësues i tij. Ajo më përvëlon duart kur e di se të njëjtën simotër e mban një kriminel. Kjo në këtë rast fyen sedrën, lëndon plagën e vuajtjes së familjes time, qindra e mijëra familjeve të tjera, lëndon një plagë të pashembullt në histori. Mehdi Bushati është një xhelat konkret, jo figurativ. Ai le të veshë kostum futbollisti apo diplomati nuk e ndryshon dot fytyrën. Atë ia kanë treguar shumë bashkëvuajtës të mi që janë qëlluar me shqelma në kokë e trup, janë kafshuar si prej kanibalësh që i kafshonin e me gojën plot i pështynin në fytyrë. Duhet ti kini lexuar. Si ju bën zemra e nuk ju dridhet dora të firmosni atë dekret. Ky sadist i lindur gjeti rastin të demonstrojë shtazërinë e tij monstruoze vetëm në saj të krushqisë me familjen e nr. 2 te diktaturës Hysni Kapo. Dëshmitarët kundra tij janë gjallë. Ndër të tjere janë të internuarit e Lushnjës. Mehdiu meriton gjyq e jo dekorate. Zoti President është në nderin tuaj ta anuloni këtë dekoratë. Bëjeni që mos tua mallkojnë dorën me të cilën firmosët", shkruan në letrën e e tij Peshkëpia. Kujtojmë se para pak ditësh po përmes një letre proteste, ish-të përndjekurit politikë i kanë shprehur indinjatën e tyre Presidentit Ilir Meta për faktin se sipas tyre ka dekoruar një prej xhelatëve me famëkeq të Sigurimit të Shtetit Mehdi Bushatin. Meta dje i dha Bushatit titullin e “Kalorës i Flamurit" si figurë e rëndësishme e sportit shqiptar. Por në letrën e Nebil Çikës, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politikë, drejtuar Presidentit shkruhet se personi që Meta ka dekoruar është autor i shume krimeve të komunizmit, arrestime, torturime e dënime të shumta politike gjatë diktaturës komuniste dhe një nga drejtuesit e lartë të organizatës kriminale e terroristë Sigurimi i Shtetit.