Dekriminalizimi, PD: Kajmaku duhet të shkarkohet, s'dha shenjat e gishtave brenda afatit

5 Shtator 2019, 15:26

TIRANE-Partia Demokratike vijon akuzat kundër kryetarit të bashkisë së Vorës Agim Kajmaku, ndërsa sot theksoi se përpos faktit që e kap dekriminalizimi, titullari i institucionit të zgjedhur në 30 Qershor duhet të shkarkohet, pasi shkeli ligjin në lidhje me afatin e dorëzimit të shenjave të gishtërinjve. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së deklaroi se në bazë të ligjit kur prokuroria kërkon shenjat e gishtërinjve, zyrtari duhet ti japë brenda 5 ditëve. Por Bardhi tha se Kajmaku nuk i ka dhënë shenjat dhe kështu shkeli ligjin dhe duhet të shkarkohet. "Sipas ligjit të dekriminalizimit, kush nuk jep shenjat e gishtërinjve 5 ditë nga marrja e njoftimit, humbet menjeherë mandatin dhe shkarkohet" thotë PD-ja. 

Por përse Kajmaku nuk dha shenjat e gishtave? Për këtë cështje lindi edhe një përplasje në distancë me deklarata mes prokurorisë së përgjithshme dhe postës shqiptare. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se Kajmakut iu dërgua një kërkesë të dorëzojë gjurmët e gishtërinjve, por shtoi se nuk mbërriti për shkak se shërbimi postar ngatërroi adresë. Për këtë shkak, njoftoi prokuroria shenjat e gishtërinjve të Kajmakut që u dërguan në Greqi janë administruar përmes pasaportës.

Por këtë pretendim Posta Shqiptare e hodhi poshtë duke thënë se 'porosia' për Kajmakun nga Prokuroria e Përgjithshme është dorëzuar në destinacion brenda 72 orësh dhe nuk ka pasur ngatërresë. Sipas tyre kjo është lehtë e verifikueshme pasi është firmosur nga sekretaria e bashkisë së Vorës. Në këtë përplasje, PD-ja gjen fajtorin, që sipas saj është Arta Marku, drejtuese e prokurorisë së përgjithshme, që për Bardhin ka qëllim mbrojtjen e Agim Kajmakut.

Lidhur me Kajmakun PD-ja ka publikuar një dokument sipas saj nga sistemi TIMS me foton e Jorgo Totos në pasaportën me nr. Z 0148497, me të cilën është arrestuar dhe një tjetër po nga sistemi TIMS që tregon pasaportën me emrin Agim Kajmaku nga ku del në përfundimin se janë i njëjti person. Sipas selisë blu kjo vërteton se personi i kërkuar nën emrin Jorgo Toto në Greqi në fakt është Agim Kajmaku.

Deklarata e plote e PD-se
Çështja e Agim Kajmakut, i arrestuar në Greqi dhe akoma në kërkim në shtetin fqinjë, ka demaskuar Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, si një vegël e pushtetit kriminal të Edi Ramës. 

Arta Marku është kapur në flagrancë duke gënjyer shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur kriminelin e Edi Ramës në Bashkinë e Vorës nga dhënia e gjurmëve të gishtërinjve. 

Në një rast të paprecedentë, Posta Shqiptare e përgënjeshtroi Arta Markun, e cila deklaroi dje se nuk i ka marrë shenjat e gishtërinjve të Agim Kajmakut, për shkak të postierit që nuk i ka gjetur adresën.  Kjo është një gënjeshtër që nuk mund ta besojë as një fëmijë, sepse adresa e Agim Kajmakut, edhe pse nuk është e shkruar në formularin e dekriminalizimit, është botërisht e njohur – Bashkia e Vorës, 15 kilometra larg zyrës së Arta Markut. 

Mashtrimi publik i Arta Markut për të mbrojtur kriminelin e Edi Ramës në Bashkinë e Vorës u provua si i tillë nga Posta e Tiranës, e cila ka deklaruar se ka të gjitha dokumentet që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin për të dhënë gjurmët e gishtërinjve në datën 29 Gusht.  

Ka një arsye pse Arta Marku është detyruar të gënjejë publikisht për të justifikuar mosdorëzimin e gjurmëve të gishtërinjve të Agim Kajmakut. 

Sipas ligjit të dekriminalizimit, personi që nuk jep shenjat e gishtërinjve 5 ditë nga marrja e njoftimit, humbet menjeherë mandatin dhe shkarkohet nga funksioni shtetëror. 

Agim Kajmaku është në këto kushte. 

Afati taksativ që parashikon neni 8 i ligjit të dekriminalizimit është tejkaluar dhe prej datës 3 shtator, për shkak se nuk ka dhënë shenjat e gishtërinjve, Agim Kajmaku duhet të mos ishte më në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vorës. 

Partia Demokratike e ka paralajmëruar që ditën e parë të denoncimit të fshehjes së krimit prej tij, se Prokuroria e Përgjithshme do të bëjë gjithçka që i kërkon Edi Rama, për të mos lëshuar një tjetër kriminel në pushtetin lokal. 

Pavarësisht këtyre skenarëve qesharakë dhe të dëshpëruar të Edi Ramës, Agim Kajmaku, që pret të dënohet në Greqi për një krim, që ndëshkohet me 10 vjet burg, do të largohet dhe do të dalë para drejtësisë edhe për fallsifikimin e formularit të dekriminalizimit. 

Agim Kajmakun nuk e mbron dot më as Arta Marku, as Edi Rama, as krimi i organizuar që e ka sponsorizuar atë. Të gjithë këta janë subjekte të drejtësisë dhe do të mbajnë përgjegjësi për aktet e tyre kundër interesit të qytetarëve shqiptarë.


d.ba./Shqiptarja.com

    No videos found.