Del udhëzimi, si do të falen gjobat e pandemisë

26 Tetor 2020, 14:15

TIRANË- Ministria e Financave ka nxjerrë udhëzimin që i hap rrugën faljes së gjobave të vendosura nga autoritetet shtetërore për mos respektim të rregullave të karantinës, si dhe ndëshkimet e bëra për riparimet pa leje në banesat e dëmtuara nga dy tërmetet, 21 shtator dhe 26 nëntor 2019.

Sipas udhëzimit nr38. Datë 19/10/2020 të hartuar nga Ministria përgjegjëse për Financat theksohet se individi apo biznesi që është gjobitur duhet të bëjë kërkesë pranë institucionit që e ka ndëshkuar për të marrë mbrapsht vlerën monetare që ka paguar.

Kërkesa duhet të përmbajë të dhënat personale të individit ose emrin e subjektit kur është biznes, ID e kartës së identiteti ose NIPT, IBAN dhe emrin e bankës pranë së cilës kanë llogarinë personale apo llogarinë e subjektit. Duhet të dorëzojë vërtetimin bankar që llogaria bankare ku do të arkëtohet kthimi i gjobës është aktive si dhe subjektet duhet të paraqesin edhe vërtetimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Pas dorëzimit të kësaj kërkese, është struktura përgjegjëse e institucionit që harton urdhërpagesën për vlerat total për çdo bankë ku është kryer arkëtimi i gjobës, duke e shoqëruar me listën emërore të përfituesve dhe më pas pritet aprovimi i Degës së Thesarit.

Pas miratimit nga Dega, strukturat përgjegjëse e dërgojnë listën pranë bankave respektive, që më pas të bëhet disbursimi i gjobës së paguar.