DËMET DHE SHIFRAT/ Raporti: 2633 banorë janë strehuar në hotele, 400 banesa janë vlerësuar, 17 u shembën në Durrës dhe Thumanë

2 Dhjetor 2019, 16:32 | Përditesimi i fundit: 2019-12-02 20:17:13

 

Kur kanë kaluar 6 ditë nga tërmeti tragjik që mori dhjetëra jetë njerëzish, një pjesë e familjeve janë kthyer në banesat e tyre, ndërsa një pjesë e madhe ende jo, për shkak të dëmeve të mëdha që kanë pësuar por edhe nga frika për ndonjë lëkundje tjetër. Dy zonat më të prekura nga tërmeti i së martës janë Durrësi dhe Thumana, por dëme ka patur edhe në zonat përreth këtyre qyteteve përfshi edhe kryeqytetin. Numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2633. 17 Banesa janë shembur në Durrës dhe në Thumanë, pasi janë të pabanueshme, ndërsa grupi i Ekspertëve të Vlerësimit të Banesave i përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, të organizuar në 11 grupe, mbështetur edhe nga Mekanizmi i Përbashkët i Emergjencave Civile të Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, vazhdoi vlerësimin teknik të ndërtesave duke e çuar në 400 numrin e objekteve të vlerësuara.