'Demokracia e Re' drejt shumicës absolute! Mitsotakis: Do jem kryeministër i gjithë Greqisë!

8 Korrik 2019, 08:57

Kyriakos Mitsotakis është kryeministri i ri i Greqisë. Procesi i numërimit të votave është drejt fundit, megjithatë kreu i "Demokracisë së Re" ka arritur që të marrë deri tani 158 vende në parlament nga 300 vende gjithsej.

Mitsotakis ka arritur që të marrë një fitore bindëse. I mjaftonin të paktën 151 vende që të qeveriste pa lidhur koalicion me ndonjë tjetër parti, por ai ka arritur të shkoj përtej kësaj shifre. Pas fitores Mitsotakis doli në një deklaratë për mediat ku premtoi se "do të jetë kryeministri i të gjithë grekëve".

Për këtë fitore është uruar edhe nga kryeministri aktual i Greqisë, Alexis Tsipras. Në një status të gjatë në rrjetet sociale ai është përshëndetur me qytetarët grek për herë të fundit si kreu i qeverisë, e ndërsa ka zbuluar edhe se ka telefonuar Mitsotakis menjëherë pasi fitorja e tij u konfirmua. Me mbështetjen e Evropës Tsipras ka qenë prej 2015 si figura ideale për të nxjerrë Greqinë nga kriza, por përballë ka pasur një figurë konservatore të shquar si Kyriakos Mitsotakis.

Mitsotakis do të betohet si kryeministër të hënën në orën 13:00, e ndërsa të martën në mbrëmje pritet të shpallet qeveria e re.