Denaj thërret Këshillin e Investimeve, Biznesi: Na shqetëson papunësia, taksat e likuiditeti

15 Prill 2020, 14:44

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Investimeve. Në mbledhje është diskutuar impakti në ekonomi i situatës së krijuar nga pandemia, si dhe nevojat për ridimensionim të ekonomisë në sektorë kyç në një periudhë afatmesme.

Situata e krijuar në ekonomi nga koronavirusi dhe nevoja për ridimensionin të sektorëve kyç në afatmesëm është diskutuar në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Investimeve, nën drejtimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj. 

Ministrja prezantoi rezultatet e një anketimi që është zhvilluar me rreth 360 biznese.

Katër çështje janë vënë në dukje nga sondazh. Bizneset janë të shqetësuar më së shumti nga papunësia, rimbursimi i TVSH-së, ndërkohë që kërkojnë zbutje të gjobave nga administrata tatimore. Po ashtu, shqetësim për ta është likuiditeti, ndërkohë që kërkojnë ndihmë për rigjenerimin e agroindustrisë me skema të plota mbështetjeje dhe subvencioni.