Dendias në Tiranë pritet me protesta nga PDIU e VV! 18 në hetim, Idrizi- Policisë: Do t’ju mbaj mend

20 Tetor 2020, 18:09

TIRANË- Edhe pse policia nuk iu dha leje për shkak se vendi është në kohë pandemie, PDIU dhe Vetëvendosje nuk u tërhoqën, por e pritën me protesta ministrin e jashtëm grek, Nikos Dendias. Kishin paralajmëruar se do të ishte një tubim paqësor, por nuk munguan momentet e tensionit mes protestuesve dhe policisë. Për pasojë uniformat blu njoftuan zyrtarisht se u vunë në hetim 18 persona, mes tyre tre organizatorët Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe kreu i VV, Boiken Abazi. Momenti kyç i kësaj proteste ishte kur vetë kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi qëlloi me shishe eskortën e ministrit grek Nikos Dendias. Ai e cilësoi si një veprim emocional, por që është shumë i vogël, krahasuar me atë që ka bërë Greqia para Shqipërisë. Madje shtoi se do "donte që t'i kishte rënë në kokë ministrit të Jashtëm".I gjithë thelbi i protestës ishin akuzat që Idrizi bëri në drejtim të kryeministrit Edi Rama se po ndjek axhendën e Greqisë, dhe ka harruar ligjin e luftës, çështjen e detit dhe Çamërinë. "Nga kalorësi i Çamërisë, u kthye në kalin e Trojës së Greqisë. Sot ka avancuar vetëm axhenda greke", tha mes të tjerave Idrizi, megjithatë kjo akuzë mori një përgjigje nga Rama në konferencën për mediat që pati me Dendias, ku tha se bisedimet për heqjen e ligjit të luftës janë në drejtime shumë pozitive. Protesta e PDIU-së nisi të Ministria e Jashtme, pak para takimit të Dendias me homogolun e tij, Gent Cakaj. Protestuesit u nisën për në kryeministri, por më pas u ndaluan në komisariatin numër 1 në Tiranë, për të kërkual lirimin e protestuesve të shoqëruar, të cilët sipas Idrizit ishin 26 dhe të gjithë ishin anëtarë të Shoqërisë Çamëria. Për këtë, Idrizi hodhi akuza në drejtim të policisë duke thënë se është protesta ku policët janë sjellë më keq dhe i kërcënuar ato se i mban mend fytyrë për fytyrë dhe do mbajnë përgjegjësi para ligjit.