Dënimi i Valdrin Pjetrit/ PD marshim-protestë në Shkodër

14 Gusht 2019, 22:16

SHKODËR-Mbështetësit e Partisë Demokratike kanë zhvilluar një marsh-protestë kundër Valdrin Pjetrit, pas dokumenteve të publikuara ku bëhej i ditur se ky i fundit ka qenë i dënuar në Itali për drogë. Protesta ka nisur në orën 19:30 para prefekturës, duke qenë se Pjetri, para se të kandidonte për Bashkinë e Shkodrës, mbante postin e prefektit. Më pas me pankarta në duar ku shkruhet "T'i kthejmë rinisë shpresën", "Stop lidhjes Shtet-Banda", "Stop blerjes së votës" është bërë një marrshim paqësor në rrugët kryesore të qytetit.

Siç raporton gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja, të pranishëm ishin ish-deputetë dhe figura të tjera të kësaj force politike, si kryebashkiakia në detyrë, Voltana Ademi, apo Bardh Spahia. Ky i fundit në një prononcim për media, tha se kjo protestë nuk është e drejtpërdrejtë për Pjetrin, por për kryeministrin Edi Rama, sipas së cilit promovon dhe u jep pushtet personave me të shkuar kriminale.

"Ky sinjal nuk është vetëm për Shkodrën dhe Pjetrin, por për shumë Valdrin të tjerë që kanë gjetur mbështetjen nga pushteti qendror. Është Edi Rama thelbi i kësaj proteste. Filloi nga Shkodra, si kryeqyteti i traditave të Shqipërisë me një të komanduar nga Rama që zgjodhi një përfaqësues të krimit", tha mes të tjerave Spahia.

Kjo protestë vjen pasi PD-ja nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj force politike, Gazment Bardhi publikoi disa dokumente, ku sipas tyre vërtetojnë që Valdrin Pjetri, i dalë fitues në zgjedhjet e 30 qershorit, ka qenë i dënuar me burg në vitin 2003 për drogë. Pas këtyre akuzave, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacion nga pala italiane nëse ndaj Valdrin Pjetrit është kryer ndonjëherë ndalim, arrestim, dënim për trafik narkotikësh apo dëbim nga shteti fqinj.

Ndonëse, Pjetri ka mohuar që të jetë dënuar në 2003 për drogë apo të jetë dëbuar nga Italia.

    No videos found.