Denoncimet kundër informalitetit shumë shpejt përmes një aplikacioni! Braçe: Kontrolle nga veriu në jug

2 Gusht 2019, 10:04

TIRANË- Nga kryeqyteti, ku bashkë me një skuadër inspektorësh vijuan kontrollet në kuadër të aksionit anti-informalitet, drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj dhe zv. kryeministri Erion Braçe, njoftuan se shumë shpejt do të krijohet aplikacioni anti-informalitet. Drejtoresha e tatimeve shpjegoi se ky aplikacion do t'i shërbejë jo vetëm qytetarëve por edhe bizneseve të cilët do mund të denoncojnë korrupsionin nga ana e administratës.

Nga ana tjetër, zv. kryeministri Erion Braçe deklaroi se kjo është një sjellje konstante e qeverisë. Braçe tha se kontrollet do të vijojnë nga veriu në jug duke paralajmëruar bizneset që të zbatojnë ligjin dhe i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bëjnë denoncim për çdo rast paligjshmërie.

"Kjo është një sjellje konstante e qeverisë në betejën kundër informalitetit. Tregu  i karburanteve është tregu më i madh në vend. Ne do të ligjërojmë çdo transaksion përmes aksionet tatimor. 25 ditët e shkuara është bërë një kontroll në tregun e karburanteve dhe për fat të keq kemi gjetur edhe veprimtari kriminal. Dy ditët e shkuara janë vënë në pranga persona që manipulonin kasat fiskal duke i kaluar në regjim manual. Ne i kemi kaluar në regjim automatik që të mos ketë asnjë mundësi për t'u kthyer pas. Ky proces do të zhvillohet me çdo pompë. Ato do të kenë regjim automatik pa mundësi për të kryer shkelje. Dje është mbyllur aktiviteti i një sipërmarrje të madhe në mes të Tiranës sepse për herë të dytë u gjet pa kuponë tatimorë në tavolina. Buxheti i shtetit do të marrë ato të ardhura që i takon. Grupe të tjera janë në terren nga veriu në ju me qëllim që të legalizojnë çdo transaksion, pa pyetur për mik e shok dhe kë merr në telefon. Kam një thirrje për secilin, të jenë në rregull me ligjin, mos t'i bien telefonit të askujt nëse nuk janë në rregull me ligjin. Drejtoresha po udhëheq një grup që mblidhet çdo mëngjes. Vetëm 8 ditë të shkuara një prej kompanive më të mëdha në vend i është bllokuar një sasi që tregtonte sepse ishte jashtë standardeve. Mjafton që të bëni kontrolle në çdo pikë karburanti. Nga pikëpamja e të ardhurave presim që të verifikojmë. Drejtoresha telefonin e ka të hapur, edhe unë mirëpres mesazhe pafund. I falenderoj të gjithë ata që na vënë në dijeni për njësitë që operojnë në kushte paligjshmërie", tha Braçe.