Denoncimi në Report Tv, Ministria e Drejtësisë kërkon shkarkimin e gjyqtares së Vlorës, Herila Çela

8 Gusht 2018, 12:26 | Përditesimi i fundit: 2018-08-08 16:27:57

Pas denoncimit të rastit të lirimit nga gjyqtarja e Vlorës, Herila Çela të shtetasit Taulant Manaj (Beqiri) me precedent penal dhe të arrestuar nga policia 2 herë në harkun kohor të pak muajve, Ministria e Drejtësisë kërkon shkarkimin e gjyqtares.

Përmes një deklarate për shtyp, zv.ministri Toni Gogu tha se kjo nuk është shkelja e parë e kësja gjyqtareje për të cilën do kërkonte shkarkimin në KLD. Me vendimin numër 1416 datë 6.8 2018 gjyqtarja Çela ka vendosur të heqë arrestin me burg për 28 vjeçarin Manaj duke caktuar për të arrest në shtëpi.

"Sistemi i drejtësisë, këmbëngul të japë vendime qartazi të paligjshme që vijojnë të provojnë kalbëzimin e tij dhe drejtesinë e reformës, që po zbatojmë përmes Vetingut, e jo vetëm. 
Gjyqtarja Herila Çela, duke mbyllur sytë para fakteve e provave kuptimplota, ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi, për një shtetas, i cili është kapur nga policia e Vlorës duke udhëtuar i armatosur, edhe pse ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi. Ky shkelës i ligjit, 2 herë i arrestuar nga policia në harkun kohor të pak muajve, lihet përsëri në shtëpi nga Gjykata, falë gjyqtares Herila Çela, e cila nuk e ka për herë të parë shfaqjen në një pozicion tejet shqetësues në raport me ligjin - gjë për të cilën ajo ka qenë edhe më parë subjekt i inspektimit të Këshillit të Lartë Drejtësisë. Sot, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtëisë me shumë urgjencë të hetojë për veprimet e gjyqtares lidhur me rastin. Ne do të ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave nëpërpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares. Raste të tilla nuk janë as të reja e as befasuese, por sidoqoftë ato shkaktojnë revoltë dhe neveri, në kushtet kur Shqipëria po reformon rrënjësisht këtë drejtësi të kapur e të kalbur"